Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 28

28
Profeti i rremë Hananiah
1Në po atë vit, në fillim të mbretërimit të Sedekisë, mbretit të Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, më foli Hananiahu, biri i Azurit, profetit të Gibeonit, në tempullin e Zotit, para priftërinjve e mbarë popullit, e më tha: 2«Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: do ta thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë. 3Brenda dy vjetëve unë do t'i kthej në këtë vend të gjitha enët e tempullit të Zotit, që Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, i mori nga ky vend dhe i barti në Babiloni. 4Do të kthej në këtë vend edhe Jehonjahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, si edhe të gjithë të shpërngulurit nga Juda, që shkuan në Babiloni, kumton Zoti, se unë do ta thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë».
5Profeti Jeremi iu përgjigj profetit Hananiah para priftërinjve e mbarë popullit që gjendej në tempullin e Zotit. 6Profeti Jeremi tha: «Amen! Ashtu e bëftë Zoti! I plotësoftë Zoti fjalët që profetizove e i ktheftë nga Babilonia në këtë vend enët e tempullit të Zotit dhe të gjithë të shpërngulurit! 7Veçse, dëgjoje fjalën që kam për të thënë për veshët tuaj e për veshët e mbarë popullit: 8profetët, që kanë jetuar para teje e para meje, kaherë kishin profetizuar luftë, uri e murtajë kundër shumë vendeve e mbretërive të mëdha. 9Prandaj, për profetin që profetizon paqe, vetëm pasi t'i përmbushet fjala do të dihet se është një profet, që me të vërtetë e kishte dërguar Zoti».
10Atëherë profeti Hananiah e hoqi zgjedhën prej qafës së profetit Jeremi dhe e theu. 11Pastaj Hananiahu foli para mbarë popullit e tha: «Kështu thotë Zoti: po kështu do ta thyej nga qafa e të gjitha kombeve zgjedhën e Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, për dy vjet». Mandej profeti Jeremi shkoi udhës së vet.
12Pasi profeti Hananiah e kishte thyer zgjedhën prej qafës së profetit Jeremi, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: 13«Shko e thuaji Hananiahut: “Kështu thotë Zoti: ti theve zgjedhën prej druri, por unë do të bëj një tjetër prej hekuri në vend të saj. 14Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: u kam vënë në qafë të gjitha kombeve një zgjedhë të hekurt, që t'i nënshtrohen Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e t'i shërbejnë. Deri edhe kafshët e fushës ia kam dhënë atij”». 15Atëherë profeti Jeremi i tha profetit Hananiah: «Dëgjo, Hananiah! Ty nuk të ka dërguar Zoti, por ti e ke shtyrë këtë popull t'i besojë gënjeshtrës, 16prandaj, kështu thotë Zoti: “Ja, do të të fshij nga faqja e dheut. Këtë vit ti do të vdesësh, sepse ke shpallur kryeneçësi kundër Zotit”».
17Në muajin e shtatë të atij viti profeti Hananiah vdiq.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 28: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë