Jeremia 19
19
Poçi i thyer
1Kështu thotë Zoti: «Shko e bli një poç balte të poçarit me disa nga pleqtë e popullit e me disa nga pleqtë e priftërinjve, 2dil në luginën e Ben Hinomit, që është te hyrja e Portës së Poçarisë, e aty shpall fjalët që do të të them. 3Thuaj: “Dëgjojeni fjalën e Zotit, o mbretër të Judës e banorë të Jerusalemit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, po dërgoj një zezonë në këtë vend, që do t'u buçasë në veshë të gjithë atyre që do ta dëgjojnë, 4sepse më braktisën mua dhe e përdhosën këtë vend, duke u kushtuar fli perëndive të tjerë, që nuk i njihnin as ata, as etërit e tyre, as mbretërit e Judës. E nginjën këtë vend me gjakun e të pafajshmëve 5dhe ndërtuan faltore në vende të larta për Baalin, për t'i djegur në zjarr bijtë e tyre si fli shkrumbimi për Baalin, gjë që unë as e kisha urdhëruar, as vendosur e as më kishte shkuar nëpër mend”. 6Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, e ky vend nuk do të quhet më Tofet e as lugina e Ben Hinomit, por lugina e Thertores. 7Në këtë vend do t'ia dështoj synimet Judës e Jerusalemit. Do t'i lë të bien nga shpata para armiqve të tyre e në dorë të atyre që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Kufomat e tyre do t'ua jap për ushqim zogjve të qiellit e shtazëve të tokës. 8Do ta kthej këtë qytet në gërmadhë e në shpoti. Të gjithë ata që do të kalojnë ndanë tij do të shtangen e do të fërshëllejnë përballë plagëve të tij. 9Do t'u jap të hanë mishin e bijve dhe mishin e bijave të veta. Do të hanë mishin e njëri-tjetrit në rrethimin e në ngushticën ku do t'i shtrëngojnë armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë t'u marrin shpirtin.
10Pastaj do ta copëtosh poçin para syve të burrave që do të kenë ardhur me ty 11e do t'u thuash: “Kështu thotë Zoti i ushtrive: do ta copëtoj këtë popull e këtë qytet, siç copëtohet ena e poçarit që nuk mund të ndreqet më. Edhe në Tofet do të varrosen, se nuk do të ketë vend për të varrosur. 12Kështu do të veproj me këtë vend, kumton Zoti, dhe me banorët e tij, e këtë qytet do ta bëj si Tofetin. 13Shtëpitë e Jerusalemit dhe shtëpitë e mbretërve të Judës, të gjitha shtëpitë mbi pullazet e të cilave është djegur temjan për mbarë ushtrinë e qiellit dhe janë derdhur fli stërpikjeje për perënditë e tjerë, do të jenë të papastra, si vendi i Tofetit”».
14Atëherë Jeremia u kthye nga Tofeti, ku e kishte dërguar Zoti për të profetizuar, zuri vend në tremen e tempullit të Zotit e i tha mbarë popullit: 15«Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do të sjell mbi këtë qytet e mbi të gjitha fshatrat e tij tërë zezonën, për të cilën e kisha paralajmëruar, sepse u bënë kryeneçë e nuk pranuan të ma dëgjonin fjalën».
Aktualisht i përzgjedhur:
Jeremia 19: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020