Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 16

16
Uria, shpata dhe vdekja
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Mos merr grua, e mos lind bij e as bija në këtë vend. 3Se kështu thotë Zoti për bijtë e bijat që lindin në këtë tokë, për nënat e për etërit që i lindën në këtë tokë: 4ata do të vdesin prej sëmundjeve vdekjeprurëse, nuk do të vajtohen e nuk do të varrosen. Do të jenë si plehu mbi faqen e dheut. Do të marrin fund prej shpatës e prej urisë dhe kufomat e tyre do të jenë ushqim për zogjtë e qiellit dhe për egërsirat e tokës.
5Se kështu thotë Zoti: mos hyr në një shtëpi ku mbahet zi, mos shko për të vajtuar apo për t'i ngushëlluar, se e kam hequr paqen time prej këtij populli, besnikërinë time dhe mëshirën time, kumton Zoti. 6Në këtë vend do të vdesin i madh e i vogël, nuk do të varrosen e nuk do të mbahet zi për ta. Askush nuk do të çirret e askush nuk do të qethet për ta. 7Kush mban zi, për të nuk do të thyhet buka për ta ngushëlluar për të vdekurin e askush nuk do t'i japë të pijë kupën e ngushëllimit për të atin e për të ëmën. 8Mos hyr as në një shtëpi ku bëhet festë, për t'u ulur, të hash e të pish me ta, 9se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do ta këpus prej këtij vendi, para jush e në kohën tuaj, zërin e gëzimit e zërin e haresë, zërin e dhëndrit e zërin e nuses.
10Pasi t'ia shpallësh këtij populli të gjitha këto fjalë, do të të pyesin: “Pse e shpalli Zoti tërë këtë zezonë të madhe kundër nesh? Cili është faji ynë e cili është mëkati që bëmë kundër Zotit, Perëndisë tonë?”. 11Atëherë ti do të përgjigjesh: “Sepse etërit tuaj më braktisën, kumton Zoti, dhe ndoqën perënditë e tjerë, u shërbyen atyre e i adhuruan, më braktisën e nuk e mbajtën ligjin tim, 12dhe ju vepruat më keq se etërit tuaj. Ja, secili prej jush shkon me kryeneçësi sipas zemrës së vet të ligë e nuk më dëgjon mua. 13Prandaj do t'ju flak nga kjo tokë, drejt një toke që nuk e keni njohur as ju, as etërit tuaj, dhe aty do t'u shërbeni ditë e natë perëndive të huaj, sepse nuk do t'ju përkrah më”».
Mëkëmbja e Izraelit
14«Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur nuk do të thuhet më: “Pasha Zotin që i nxori izraelitët nga dheu i Egjiptit”, 15por: “Pasha Zotin që i nxori izraelitët nga dheu i veriut e nga të gjitha vendet ku i pati dëbuar”. E unë do t'i kthej në tokën e vet, që ua pata dhënë etërve të tyre.
16Ja, do t'u dërgoj peshkatarë të shumtë për t'i peshkuar, kumton Zoti. Pastaj do t'u dërgoj gjuetarë të shumtë për t'i gjuajtur prej çdo mali, prej çdo kodre e prej të çarave të shkëmbinjve, 17sepse sytë e mi i shikojnë të gjitha udhët e tyre. Nuk fshihen dot prej meje e faji i tyre nuk u shpëton syve të mi. 18Së pari, do ta shpaguaj dyfish fajin e tyre dhe mëkatin e tyre, se e përdhosën tokën time me kufomat e idhujve të tyre dhe e mbushën trashëgiminë time me pështirësitë e tyre».
19O Zot, forca ime e mburoja ime,
streha ime në ditën e ngushticës,
te ti do të vijnë kombet
nga skajet e dheut e do të thonë:
«Etërit tanë zotëronin veçse mashtrim
e kotësi që nuk kanë vlerë».
20A mund të bëjë njeriu Perëndi për vete?
E, pra, ata nuk janë Perëndi.
21Prandaj, ja, do t'ua bëj të ditur këtë herë dorën time e fuqinë time dhe do ta marrin vesh se Zot është emri im.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 16: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr