Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 14

14
Thatësira
1Fjala e Zotit drejtuar Jeremisë në lidhje me thatësirën.
2Juda është në zi
e portat e tij lëngojnë,
vajtojnë përdhe
e gjëma e Jerusalemit ngrihet lart.
3Fisnikët e tyre dërgojnë vegjëlinë për ujë,
vijnë te sternat, por ujë nuk gjejnë
e kthehen me enët zbrazur.
Mbeten të turpëruar e të poshtëruar,
ndaj kokën mbulojnë.
4Dheu është plasaritur,
se nuk bie shi mbi tokë,
ndaj bujqit janë turpëruar
e kokën kanë mbuluar,
5edhe drenusha në fushë
pjell dhe e braktis pjellën,
se nuk ka bar.
6Gomarët e egër qëndrojnë mbi rrahe,
gulçojnë për frymë si çakej,
u perëndojnë sytë,
se nuk ka blerim.
7«Ndonëse fajet tona dëshmojnë kundër nesh,
o Zot, vepro për hir të emrit tënd,
se të shumta janë pabesitë tona,
kundër teje kemi mëkatuar.
8O shpresë e Izraelit,
shpëtimtari i tij në kohë ngushtice,
pse do të jesh si bujtës në tokë,
si kalimtar që kthehet për një natë?
9Pse bën si njeri i hutuar,
si trimi që nuk mund të sjellë shpëtim?
Por, ti je mes nesh, o Zot,
e mbi ne thirret emri yt.
Mos na braktis!».
10Kështu thotë Zoti për këtë popull:
«Ua ka ënda të enden,
nuk u zënë këmbët dhe,
prandaj nuk i pëlqejnë Zotit.
Ai do të kujtohet për fajet e tyre
dhe do t'i ndëshkojë mëkatet e tyre».
11 Zoti më tha: «Mos u lut për këtë popull, për mirëqenien e tij. 12Edhe po të agjërojnë, nuk do t'ua dëgjoj britmën. Edhe po të kushtojnë fli shkrumbimi e fli drithi, nuk do t'i pranoj. Përkundrazi, me shpatë, me zi buke e me murtajë do t'i shfaros».
Profetët e rremë
13Atëherë thashë: «Ah, Zot, Zoti im! Ja, profetët u thonë: nuk do të shihni shpatë, as do të ketë zi buke për ju, se ai do t'ju japë një paqe të vërtetë në këtë vend». 14Pastaj Zoti më tha: «Profetët kanë profetizuar gënjeshtra në emrin tim. Unë nuk i kam dërguar, nuk u kam dhënë urdhra e nuk u kam folur. Ata ju profetizojnë vegime të rreme, parashikime të kota dhe mashtrimet e zemrave të veta. 15Prandaj, kështu thotë Zoti për profetët që profetizojnë në emrin tim, megjithëse nuk i kam dërguar unë, dhe që thonë: “As shpata, as zia e bukës nuk do të bien mbi këtë tokë”. Prej shpatës e zisë së bukës do të marrin fund ata profetë. 16Populli, të cilit ata do t'i profetizojnë, do të nxirret jashtë në rrugët e Jerusalemit, për shkak të zisë së bukës e të shpatës, pa pasur kush t'i varrosë as ata, as gratë, as bijtë e as bijat e tyre. Do të zbraz mbi ta ligësitë e tyre.
17Ti thuaju këtë fjalë:
le të rrjedhin lot sytë e mi
natë e ditë pa pushim,
se e theu, e copëtoi virgjëreshën,
bijën e popullit tim,
plaga dhe sëmundja e rëndë.
18Nëse dal në arë,
ja, të therurit me shpatë.
Nëse hyj në qytet,
ja, të vdekurit prej urisë.
Edhe profeti, edhe prifti,
sillen nëpër vend e s'dinë.
19A e ke hedhur tej Judën?
A të neveritet Sioni?
Pse na ke goditur
e s'ka shërim për ne?
Prisnim paqen, por nuk ka mirësi,
kohën e shërimit, por, ja, tmerr.
20E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë
e fajin e etërve tanë,
se kemi mëkatuar kundër teje.
21Mos na përbuz, për hir të emrit tënd,
mos e përçmo fronin e lavdisë sate,
kujtohu e mos e thyej besëlidhjen me ne.
22A ka ndër idhujt e kombeve
ndonjë që mund të sjellë shiun?
A e lëshojnë qiejt vetë shtrëngatën?
A nuk je ti ai, o Zot, Perëndia ynë?
Ne shpresojmë te ti,
se të gjitha këto ti i ke bërë».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr