Judita 8
8
Judita
1Ato ditë, për këto ngjarje dëgjoi edhe Judita, bija e Merarit, të birit të Oksit, të birit të Jozefit, të birit të Ozielit, të birit të Elkiahut, të birit të Hananiahut, të birit të Gideonit, të birit të Rafainit, të birit të Ahitubit, të birit të Elisë, të birit të Hilkiahut, të birit të Eliabit, të birit të Natanaelit, të birit të Salamielit, të birit të Sarasadait. 2Burri i saj Manaseu, nga fisi e shtëpia e saj, kishte vdekur gjatë të korrave të elbit. 3Kur kishte qenë duke parë ata që po lidhnin duaj në arë, e kishte goditur në kokë vapa, kishte rënë në shtrat dhe kishte vdekur në qytetin e tij, Betuli. Atëherë e kishin varrosur me të parët e vet në fushën mes Dotanit e Balamonit. 4Judita kishte mbetur e ve për tre vjet e katër muaj 5në shtëpinë ku kishte ngrehur një tendë për vete mbi çati. Ajo i kishte ngjeshur ijët me grathore dhe ishte veshur me petka vejërie. 6Kishte agjëruar gjatë gjithë kohës së vejërisë, përveç ditës para së shtunës dhe të shtunës, përveç ditës para hënës së re dhe ditës së hënës së re, përveç festave dhe ditëve të haresë për shtëpinë e Izraelit. 7Ajo ishte e bukur nga pamja dhe tërheqëse. Burri i saj Manaseu i kishte lënë ar e argjend, skllevër e skllave dhe ajo dinte t'i mbante. 8Askush nuk fliste keq për të, se ajo e druante fort Perëndinë.
Judita dhe pleqtë
9Judita i dëgjoi fjalët e rënda që kishin thënë njerëzit për prijësin, ngaqë ishin mekur nga mungesa e ujit, dhe gjithë ç'u kishte thënë Uziahu. Ai u ishte betuar se do t'ua dorëzonte qytetin asirianëve pas pesë ditësh. 10Atëherë dërgoi shërbëtoren që kujdesej për tërë pasurinë e saj për të thirrur Uziahun, Kabrisin dhe Harmiun. 11Kur mbërritën, u tha: «Dëgjomëni, o prijësit e banorëve të Betulisë. Fjala që keni folur sot para popullit nuk është e drejtë. Jeni betuar mes Perëndisë e vetes se do t'ua dorëzoni qytetin armiqve tanë, nëse Zoti nuk kthehet për të na ndihmuar. 12Kush jeni ju që ta vini Perëndinë në provë sot dhe të ngriheni mbi Perëndinë mes njerëzve? 13Ju po e vini në provë Zotin e gjithëpushtetshëm, por s'kuptoni gjë kurrë. 14Ju nuk i matni dot thellësitë e zemrës së njeriut e nuk hetoni përsiatjet e mendjes së tij. Si mund të kuptoni Perëndinë, që krijoi të gjitha këto, e të rrokni mendimin e tij? Jo, o vëllezër, mos e zemëroni Zotin, Perëndinë tonë. 15Nëse ai nuk vendos të na ndihmojë për pesë ditë, ai ka pushtetin të na ndihmojë kur të dojë, sikurse edhe të na rrënojë para syve të armiqve tanë. 16Ju nuk i lidhni dot vendimet e Zotit, Perëndisë sonë, se Perëndia nuk është si njeriu, që të mund të kërcënohet si njeri, që mund të bëhet për vete. 17Prandaj, duke pritur shpëtimin e tij, le ta thërrasim në ndihmë e ai do të na e dëgjojë zërin, po t'i duket e drejtë.
18As ndër breznitë tona, as sot e kësaj dite nuk ka pasur fis, as shtëpi, as popull, as qytet që adhuron perënditë e bëra me duar, siç ndodhte në ditët e kahershme. 19Prandaj etërit tanë i goditi shpata e plaçkitja dhe pësuan shtypje nga armiqtë tanë. 20Por ne nuk njohim perëndi tjetër përveç tij dhe shpresojmë se ai nuk do të na përbuzë as ne dhe askënd nga fisi ynë. 21Nëse na pushtojnë ne, do të pushtohet mbarë Judeja dhe do të na plaçkitet shenjtërorja. Atëherë ai do të kërkojë gjakun tonë për përdhosjen e saj. 22Therjen e vëllezërve tanë, robërimin e vendit dhe shkatërrimin e trashëgimisë sonë do të na e përplasë kokës mes kombeve ku do të bëhemi skllevër. Do të bëhemi fyerje e shpoti në sytë e atyre që do të na blejnë, 23se skllavërimi nuk do të na sjellë mbarësi e Zoti, Perëndia ynë do ta kthejë në çnderim.
24Prandaj, vëllezër, le t'u japim shembull vëllezërve tanë, se jeta e tyre varet prej nesh dhe shenjtërorja, si tempulli, ashtu edhe altari, varen prej nesh. 25Pavarësisht nga të gjitha këto, ta falënderojmë Zotin, Perëndinë tonë, që po na vë në provë, siç vuri në provë etërit tanë. 26Kujtoni çfarë bëri me Abrahamin, si e vuri në provë Isakun dhe çfarë i ndodhi Jakobit në Mesopotaminë e Sirisë, kur po kulloste delet e Labanit, vëllait të nënës së vet. 27Se ai nuk na ka sprovuar me zjarr, siç bëri me ta, për t'u sprovuar zemrat, as është hakmarrë me ne. Ata që i mban afër, Zoti i godet, që t'i thërrasin mendjes».
28Atëherë Uziahu iu përgjigj: «Gjithçka the, e ke thënë nga zemërmirësia dhe askush nuk mund të t'i hedhë poshtë fjalët. 29Sot nuk është hera e parë që shfaqet urtia jote, por që në ditët e tua të hershme mbarë populli e ka marrë vesh mençurinë tënde, se çfarë bën me zemër është veç mirësi. 30Por populli ishte shumë i etur, prandaj na detyroi të bënim çfarë u thamë dhe na vunë në një be që nuk mund ta thyejmë. 31Tani ti lutu për ne, sepse je grua fetare. Zoti mund të na dërgojë shi për të mbushur sternat dhe etja nuk do të na mekë».
32Atëherë Judita u tha: «Dëgjomëni! Do të bëj diçka që do të kujtohet brez pas brezi ndër bijtë e popullit tonë. 33Qëndroni sonte te porta e qytetit. Unë do të dal me shërbëtoren time dhe Zoti do ta çlirojë Izraelin përmes meje brenda ditëve që keni thënë se do t'ua dorëzoni qytetin armiqve. 34Veçse, mos pyesni për veprimin, se nuk do t'ju tregoj pa kryer çfarë kam ndërmend të bëj».
35Uziahu dhe prijësit i thanë: «Shko në paqe. Të priftë Zoti Perëndi, që të marrësh hak kundër armiqve tanë». 36Atëherë u kthyen nga tenda dhe shkuan tek detyrat e veta.
Aktualisht i përzgjedhur:
Judita 8: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020