Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Judita 13

13
Vrasja e Olofernit
1Kur u bë mbrëmje, shërbëtorët e tij u larguan. Bagoasi e mbylli perden nga përjashta dhe i largoi rojat nga i zoti. Të gjithë shkuan të flinin. Ishin të lodhur, se gostia kishte zgjatur shumë. 2Juditën e lanë vetëm në tendë. Oloferni ishte shtrirë në shtratin e vet i dehur tapë. 3Atëherë Judita i tha shërbëtores së vet të dilte nga dhoma e shtratit dhe të priste përjashta derisa të dilte vetë, siç kishte bërë çdo ditë, se thoshte se do të dilte për t'u lutur. Edhe Bagoasit i kishte thënë të njëjtat fjalë. 4Të gjithë ishin larguar, nga më i vogli deri te më i madhi, e nuk kishte mbetur askush në dhomën e shtratit. Judita, më këmbë pranë shtratit të tij, tha me vete:
«O Zot, Perëndi i gjithëfuqishëm,
vështroje në këtë çast
veprën e duarve të mia
për lartimin e Jerusalemit.
5Tani është rasti ta ndihmosh trashëgiminë tënde,
të kryhet synimi im,
të rrënohen armiqtë
që u ngritën kundër nesh».
6Shkoi te kreu i shtratit, ku kishte kokën Oloferni, dhe hoqi prej aty shpatën e tij. 7Iu afrua shtratit, ia kapi kokën për flokësh e tha: «Më jep forcë sot, o Zot, Perëndia i Izraelit!». 8E goditi dy herë në fyt dhe i preu kokën. 9Pastaj e nxori kufomën nga shtrati duke e rrotulluar dhe hoqi perdet nga shtyllëzat. Pas një kohe të shkurtër doli dhe ia dha shërbëtores kokën e Olofernit. 10Ajo e futi në trastën e ushqimeve dhe të dyja dolën për t'u lutur, si zakonisht. Ecën përmes fushimit, i ranë rrotull luginës, ngjitën malin e Betulisë dhe mbërritën te portat.
Kthimi i Juditës
11Judita u foli nga larg rojave të portave: «Hapeni derën! Hapeni derën! Kemi me vete Perëndinë, Perëndinë tonë. Ai ushtron ende forcë në Izrael e pushtet kundër armiqve tanë, siç bëri sot».
12Kur burrat e qytetit dëgjuan zërin e saj, vrapuan te porta dhe thirrën pleqësinë e qytetit. 13U mblodhën të gjithë, nga më i vogli te më i madhi, se u dukej e çuditshme që ajo ishte kthyer. Hapën portën për t'i pritur, ndezën një zjarr e u mblodhën rreth tyre. 14Ajo ngriti zërin e u tha: «Lëvdojeni Perëndinë! Lëvdojeni! Lëvdojeni Perëndinë, që nuk e ka larguar mëshirën nga shtëpia e Izraelit, por i shkatërroi armiqtë me dorën time në këtë natë». 15Nxori nga trasta kokën, ua tregoi e u tha: «Ja koka e Olofernit, kryeushtarakut të ushtrisë asiriane. Ja shtroja ku ishte shtrirë i dehur. Zoti e goditi me dorën e një femre. 16Pasha Zotin e gjallë, që më ruajti në udhën time, për rrënimin e vet e joshi pamja ime, por ai nuk mëkatoi dot me mua, për të më ndotur e për të më turpëruar».
17Mbarë populli mbeti tejet i mrekulluar. Ranë përmbys, adhuruan Perëndinë e thanë njëzëri: «Bekuar qofsh ti, o Perëndia ynë, që i poshtërove sot armiqtë e popullit tënd!».
18Atëherë Uziahu i tha Juditës:
«Bekuar qofsh, o bijë, nga Perëndia i tejlartë,
përmbi të gjitha gratë e dheut.
Bekuar qoftë Zoti Perëndi
që krijoi qiellin e tokën,
që të priu t'ia prisje kokën
prijësit të armiqve tanë!
19Nuk do të zhduket shpresa jote
nga zemrat e njerëzve
që kujtojnë përherë fuqinë e Perëndisë.
20Perëndia të lartoftë për këtë në amshim,
të mbuloftë me begati,
se nuk e kurseve jetën
kur u poshtërua fisi ynë,
por e shmange rrënimin tonë,
duke ecur udhës së drejtë
para Perëndisë sonë».
Dhe mbarë populli thoshte: «Ashtu qoftë! Ashtu qoftë!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Judita 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr