Atë ditë Debora dhe Baraku, biri i Abinoamit, kënduan këtë këngë:
«Kur krelat nuk priten në Izrael,
kur populli kushtohet me gjithë shpirt,
bekojeni ZOTIN.
Dëgjoni, o mbretër, mbani vesh, o prijës!
Unë do t'i këndoj ZOTIT,
do t'i thur himne ZOTIT, Perëndisë së Izraelit.
O ZOT, kur dole prej Seirit,
kur marshove prej fushës së Edomit,
u trondit toka, pikuan qiejt,
retë rrëke ujërash derdhën.
Para ZOTIT të Sinait u drodhën malet,
para ZOTIT, Perëndisë së Izraelit.
Në ditët e Shamgarit, birit të Anatit,
në ditët e Jaelës, të shkreta mbetën udhët,
kalimtarët shkuan shtigjeve gjarpëruese.
Mungonin bujqit në Izrael,
mungonin, derisa dola unë, Debora,
derisa dola unë, nënë e Izraelit!
Zgjodhën perëndi të reja,
e lufta u erdhi te dera!
Shqyt nuk u pa kurrkund, as shtizë,
ndër dyzet mijë burrat e Izraelit.
Zemra ime është me prijësit e Izraelit,
me popullin që u kushtua me gjithë shpirt.
Bekojeni ZOTIN!
Ju që kalëroni mbi gomarica të bardha,
ju që rrini ulur mbi qilima,
ju që shkoni udhës, kumtojeni!
Nga zëri i atyre që ndajnë ujin lugjeve,
shpallen veprat e drejta të ZOTIT,
veprat e tij të drejta për bujqit e Izraelit,
teksa populli i ZOTIT zbret te portat e qytetit.
Ngrihu, o Deborë, ngrihu!
Ngrihu e merrja këngës!
Çohu, o Barak, o biri i Abinoamit,
e robëruesit robër bëji.
E kush kishte mbetur u bashkua me fisnikët,
tek unë populli i ZOTIT erdhi,
atje mes të fortëve.
Prej Efraimit erdhën ata, që rrënjët në Amalek i kishin,
pas teje Benjamini u bashkua me popullin tënd,
prej Makirit zbritën prijësit,
prej Zabulonit marshuan luftëtarët, që skeptrin mbanin.
Prijësit e Isaharit erdhën me Deborën,
ashtu si Baraku, edhe Isahari
nxitonte pas tij mes përmes luginës.
Mes njësive të Rubenit
vendosnin me gjithë zemër.
Përse u ndale nëpër zjarret e staneve?
Për të dëgjuar fyellin tek thërriste tufat?
Mes njësive të Rubenit
hetonin me gjithë zemër.
Gileadi përtej Jordanit pushonte,
po Dani, përse nëpër anije endet?
Asheri banonte brigjeve të detit
e porteve të tij mbeti.
Zabuloni një popull, që jetën në rrezik vuri,
Neftaliun nëpër rrafshnalta, vdekja nuk e trembi.
Erdhën mbretërit në betejë,
mbretërit e Kanaanit luftuan në Tanak,
pranë ujërave të Megidosë,
e plaçkë argjendi me vete s'morën.
Prej qiellit luftuan edhe yjet,
prej orbitave të veta u ndeshën me Siserin.
I përlau përroi i Kishonit,
përrua i lashtë përroi i Kishonit.
Marsho tërë forcë, o shpirti im!
Trokëllitën thundrat e kuajve
nga vrapimi i vrullshëm i kalorësve trima.
“Mallkojeni Merozin”, tha engjëlli i ZOTIT,
“mallkojini, mallkojini banorët e tij,
se nuk i erdhën në ndihmë ZOTIT,
në ndihmë ZOTIT dhe trimave të tij”.
Bekuar qoftë ndër gratë Jaela, gruaja e Heber Kenitit!
Ndër gratë, që në tenda banojnë, e bekuar qoftë!
Ujë i kërkoi e ajo qumësht i dha,
në një kupë princash ajkë i solli.
Dora e saj kunjin kapi,
e djathta çekiçin rrëmbeu,
Siserin goditi, kafkën ia çau,
tëmthat tejpërtej ia shpoi.
Te këmbët e saj u plandos,
ra e u shtri përtokë,
te këmbët e saj u plandos e u dergj,
atje u këput, aty i vdekur ra.
Nga dritarja vrojtonte nëna e Siserit,
nga hekurat e dritares thërriste:
“Përse vonon të kthehet qerrja jote?
Përse kaq e ngadaltë trokëllima e thundrave?”.
I përgjigjen princeshat e saj fisnike,
por ajo sërish me vete thotë:
“Kanë gjetur plaçkë e mes tyre po e ndajnë,
nga një a dy vajza për çdo luftëtar,
plaçkë lufte tërë ngjyra për Siserin,
plaçkë tërë ngjyra qëndisur,
tërë ngjyra qëndisur për shpatullat e plaçkitësit”.
Kështu le të shfarosen të gjithë armiqtë e tu, o ZOT,
e ata që të duan, të fortë si dielli qofshin!».