Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 19

19
Leviti dhe shemra e tij
1Në atë kohë, kur nuk kishte ende mbret në Izrael, jetonte në një vend të largët në malësinë e Efraimit një levit. Ai kishte marrë një shemër nga Betlehemi i Judës. 2Por ajo e la dhe u largua prej tij e u kthye në shtëpinë e të atit në Betlehem të Judës, ku qëndroi katër muaj. 3Burri i saj mori me vete një shërbëtor e dy gomarë e shkoi tek ajo për ta bindur që të kthehej. Ajo e futi në shtëpi dhe i ati i saj u gëzua shumë kur pa djaloshin. 4I vjehrri, i ati i vashës, e detyroi djaloshin të qëndronte tri ditë në shtëpinë e tij. Ata hëngrën, pinë dhe bujtën aty. 5Ditën e katërt u ngritën herët në mëngjes dhe leviti po bëhej gati të nisej, por i ati i vashës i tha dhëndrit: «Ha një kafshatë bukë, që të marrësh fuqi, e pastaj nisu». 6U ulën të dy dhe hëngrën e pinë. Atëherë i ati i vashës i tha dhëndrit: «Të lutem, rri edhe sonte, që të të kënaqet zemra». 7Djaloshi donte të nisej, por i vjehrri ia mbushi mendjen të rrinte e të kalonte natën aty. 8Ditën e pestë, djaloshi u ngrit herët për t'u nisur, por i ati i vashës i tha: «Ha që të marrësh fuqi e rri derisa të ngryset». U ulën të dy për të ngrënë. 9Atëherë djaloshi u ngrit për t'u nisur bashkë me shemrën e me shërbëtorin, por vjehrri i tha përsëri: «Shiko, dita po mbaron e po bie nata. Rrini këtu sonte, kaloni natën, që t'ju kënaqet zemra dhe nesër në mëngjes herët nisuni për të shkuar në shtëpi».
10Por dhëndri nuk donte ta kalonte natën atje, prandaj u nis për udhë dhe mbërriti kundruall Jebusit, domethënë Jerusalemit. Me vete kishte dy gomarë të ngarkuar dhe shemrën e tij. 11Kur po kalonin pranë Jebusit, po binte muzgu. Atëherë shërbëtori i tha të zotit: «Eja të shkojmë në qytetin e jebusitëve, të lutem, dhe ta kalojmë natën aty». 12Por zotëria i tha: «Jo, nuk do të kthehemi në një qytet të huaj, ku banorët nuk janë izraelitë. Do të vazhdojmë deri në Gibeah». 13E pastaj i tha shërbëtorit: «Të shkojmë sa më afër njërit prej këtyre vendeve, që ta kalojmë natën në Gibeah ose në Ramah». 14Kështu, e kaluan Jebusin dhe vazhduan udhën. Perëndimi i diellit i zuri pranë Gibeahut, që i përkiste fisit të Benjaminit. 15Kthyen në Gibeah për të kaluar natën dhe shkuan e u ulën në sheshin e qytetit, por askush nuk ua hapi dyert e shtëpisë.
16Aty nga mbrëmja po kthehej nga ara një plak. Plaku ishte i ardhur në Gibeah. Kishte ardhur nga malësia e Efraimit, ndërsa vendasit ishin pasardhës të fisit të Benjaminit. 17Plaku ngriti sytë dhe pa kalimtarin ulur në sheshin e qytetit dhe e pyeti: «Ku po shkoni e nga vini?». 18Ai iu përgjigj: «Po udhëtojmë nga Betlehemi për në vendin më të largët të malësisë së Efraimit, nga edhe vij. Isha në Betlehem të Judës e tani po kthehem në shtëpinë e Zotit, por askush nuk na i ka hapur dyert e shtëpisë. 19Kemi me vete kashtë e tagji për gomarët tanë, si edhe bukë e verë për veten time, për shërbëtoren tënde dhe për djaloshin, që shoqëron shërbëtorin tënd. Nuk na mungon asgjë». 20Plaku u tha: «Paqja qoftë me ty! Do të kujdesem unë për çdo nevojë që ke, veç mos e kalo natën në sheshin e qytetit». 21Atëherë, i futi në shtëpi e u dha ushqim gomarëve. Pastaj lanë këmbët dhe hëngrën e pinë.
22Teksa ata po kënaqeshin, mbërritën disa burra të atij qyteti, njerëz të poshtër, rrethuan shtëpinë e plakut dhe filluan t'i bien derës me dhunë. Pastaj i thirrën të zotit të shtëpisë e i thanë: «Nxirre jashtë atë burrin që ke futur në shtëpi, që ta përdhunojmë». 23I zoti i shtëpisë doli jashtë e u tha: «Vëllezërit e mi, ju lutem mos bëni ligësi. Ky njeri ka bujtur tek unë si mik. Mos e bëni këtë poshtërsi. 24Ja, vajza ime është e virgjër dhe ky njeri ka shemrën me vete. Po ju nxjerr ato. Poshtërojini e bëni ç'të doni me to, por mos ia bëni këtë poshtërsi këtij njeriu». 25Ata nuk deshën ta dëgjonin. Atëherë leviti mori shemrën e vet dhe ua nxori jashtë. Ata e përdhunuan dhe e shfrytëzuan gjithë natën deri në mëngjes. E lanë të ikte kur po agonte. 26Gruaja u kthye në agim dhe ra te pragu i shtëpisë, ku kishte bujtur zotëria i saj, e mbeti aty deri në agim.
27Në mëngjes, kur i shoqi u ngrit dhe hapi dyert e shtëpisë për të vazhduar rrugën, pa para derës shemrën e tij, që dergjej me duart te pragu. 28Atëherë ai i tha: «Ngrihu të ikim». Por ajo nuk përgjigjej më. Ai e ngarkoi mbi gomar dhe u kthye në shtëpi. 29Kur mbërriti në shtëpi, mori një thikë, e ndau shemrën në dymbëdhjetë copa dhe ua dërgoi të gjithë fiseve të Izraelit. 30Të gjithë ata që e panë këtë gjë, thanë: «Një gjë e tillë nuk ka ndodhur e nuk është parë kurrë në Izrael, që nga dita kur izraelitët dolën nga Egjipti e deri më sot. Mendohuni mirë, kuvendoni e vendosni».

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjyqtarët 19: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë