Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 16:4-22

Gjyqtarët 16:4-22 AL1

Pas kësaj, Samsoni ra në dashuri me një grua që jetonte në Sorek. Ajo quhej Dalila. Prijësit e filistinëve shkuan tek ajo e i thanë: «Mbushja mendjen të të tregojë nga i vjen tërë ajo fuqi. Na trego si mund ta mposhtim, ta lidhim e ta vëmë poshtë dhe do të të japim nga një mijë e njëqind monedha argjendi secili». Kështu, Dalila i tha Samsonit: «Të lutem, më trego nga të vjen tërë kjo fuqi dhe si mund të lidhesh e të mposhtesh?». Samsoni i tha: «Nëse më lidhin me shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Prijësit e filistinëve i sollën Dalilës shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, dhe ajo e lidhi Samsonin me to. Disa filistinë zunë pritë në një nga dhomat e shtëpisë dhe Dalila i thirri Samsonit: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Atëherë Samsoni i këputi telat e harkut, si fije liri pranë zjarrit. Kështu, e fshehta e fuqisë së tij mbeti e panjohur. Dalila i tha Samsonit: «U talle me mua e më the gënjeshtra. Më thuaj, pra, me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Nëse më lidhin me litarë të rinj, që nuk janë përdorur kurrë, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Atëherë Dalila mori litarë të rinj, e lidhi me to dhe bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Ndërkohë që disa filistinë kishin zënë pritë në një nga dhomat e shtëpisë. Samsoni i këputi litarët si të ishin fije peri. Atëherë Dalila i tha Samsonit: «Deri tani je tallur me mua e më ke thënë gënjeshtra. Tregomë me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Duke thurur me kunjin e tezgjahut shtatë gërsheta në kokën time». Dalila ia thuri gërshetat dhe ia lidhi me kunjin e tezgjahut. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi dhe e shkuli kunjin e tezgjahut me gjithë tezgjah. Dalila i tha Samsonit: «Si mund të thuash se më do, kur zemra jote nuk është me mua? Më gënjeve tri herë dhe nuk ma tregove se ku qëndron fuqia jote e madhe». Ajo e mërziste çdo ditë me fjalë dhe e ngacmonte pa pushim, aq sa Samsoni u pikëllua për vdekje, i hapi zemrën e i tha: «Kokën time nuk e ka prekur kurrë brisku, sepse i jam kushtuar Perëndisë si nazireas, që në bark të nënës. Nëse rruhem, më ikën fuqia dhe bëhem i dobët si njerëzit e tjerë». Dalila pa se Samsoni i kishte folur me zemër të hapur dhe u çoi fjalë prijësve të filistinëve që të vinin, sepse Samsoni i kishte folur me zemër të hapur. Ata shkuan tek Dalila me monedhat e argjendit në dorë. Dalila e vuri Samsonin në gjumë mbi prehrin e saj dhe thirri dikë që i rroi të shtatë gërshetat e flokëve. Atëherë ajo filloi ta nënshtrojë Samsonin, sepse atë e lanë fuqitë. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi, duke menduar se do të dilte e do të shpëtonte si herët e tjera, por nuk e dinte se ZOTI ishte larguar prej tij. Kështu. filistinët e kapën, i nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E ndrynë në burg, e lidhën me vargonj bronzi dhe e vunë të rrotullojë mokrën. Ndërkohë, flokët e rruar filluan t'i rriteshin sërish.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë