Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 16:16-30

Gjyqtarët 16:16-30 AL1

Ajo e mërziste çdo ditë me fjalë dhe e ngacmonte pa pushim, aq sa Samsoni u pikëllua për vdekje, i hapi zemrën e i tha: «Kokën time nuk e ka prekur kurrë brisku, sepse i jam kushtuar Perëndisë si nazireas, që në bark të nënës. Nëse rruhem, më ikën fuqia dhe bëhem i dobët si njerëzit e tjerë». Dalila pa se Samsoni i kishte folur me zemër të hapur dhe u çoi fjalë prijësve të filistinëve që të vinin, sepse Samsoni i kishte folur me zemër të hapur. Ata shkuan tek Dalila me monedhat e argjendit në dorë. Dalila e vuri Samsonin në gjumë mbi prehrin e saj dhe thirri dikë që i rroi të shtatë gërshetat e flokëve. Atëherë ajo filloi ta nënshtrojë Samsonin, sepse atë e lanë fuqitë. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi, duke menduar se do të dilte e do të shpëtonte si herët e tjera, por nuk e dinte se ZOTI ishte larguar prej tij. Kështu. filistinët e kapën, i nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E ndrynë në burg, e lidhën me vargonj bronzi dhe e vunë të rrotullojë mokrën. Ndërkohë, flokët e rruar filluan t'i rriteshin sërish. Prijësit filistinë u mblodhën për t'i kushtuar një fli të madhe Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për të festuar, sepse thoshin se perëndia i tyre ua kishte dorëzuar Samsonin, armikun e tyre. Kur e pa, populli përlëvdonte perëndinë e vet, duke thënë: «Perëndia ynë na e dorëzoi armikun, atë që shkatërronte arat tona, atë që vrau shumë nga njerëzit tanë». Shumë të gëzuar, ata thanë: «Silleni Samsonin të na argëtojë». E sollën Samsonin nga burgu, që t'i argëtonte, dhe e lidhën te shtyllat e tempullit. Atëherë Samsoni i tha djaloshit që e mbante për dore: «Lërmë të prek shtyllat e tempullit, që të mbështetem pak». Tempulli ishte i mbushur plot me burra e gra. Aty ishin edhe të gjithë prijësit e filistinëve dhe mbi çati gjendeshin rreth tre mijë vetë, burra e gra, që shikonin Samsonin tek i argëtonte. Atëherë Samsoni i thirri ZOTIT e i tha: «O ZOT, Zoti im, të lutem kujtohu për mua. Më jep edhe një herë fuqi, o Perëndia im, që të marr hak ndaj filistinëve për veten time dhe për dy sytë e mi». Samsoni mbërtheu dy shtyllat e mesit që mbanin tempullin, njërën me krahun e djathtë e tjetrën me krahun e majtë, e tha: «Le të vdes bashkë me filistinët!». I shtyu shtyllat me sa fuqi pati dhe tempulli u shemb mbi prijësit e filistinëve e mbi gjithë popullin që ishte në të. Samsoni vrau me vdekjen e vet më shumë sesa vrau gjatë gjithë jetës së tij.