Mandej Samsoni shkoi në Gazë. Atje pa një lavire dhe shkoi me të. Kur u thanë banorëve të Gazës se Samsoni ishte atje, ata rrethuan qytetin dhe i zunë pusi. Pritën gjithë natën te portat e qytetit, që ta vrisnin kur të agonte. Samsoni fjeti deri në mesnatë. Pastaj u ngrit nga mesi i natës, mbërtheu portën e qytetit dhe e shkuli bashkë me dy shtalkat e me shulin. Pastaj e hodhi mbi shpatulla dhe e çoi në majë të malit përballë Hebronit.
Pas kësaj, Samsoni ra në dashuri me një grua që jetonte në Sorek. Ajo quhej Dalila. Prijësit e filistinëve shkuan tek ajo e i thanë: «Mbushja mendjen të të tregojë nga i vjen tërë ajo fuqi. Na trego si mund ta mposhtim, ta lidhim e ta vëmë poshtë dhe do të të japim nga një mijë e njëqind monedha argjendi secili». Kështu, Dalila i tha Samsonit: «Të lutem, më trego nga të vjen tërë kjo fuqi dhe si mund të lidhesh e të mposhtesh?». Samsoni i tha: «Nëse më lidhin me shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Prijësit e filistinëve i sollën Dalilës shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, dhe ajo e lidhi Samsonin me to. Disa filistinë zunë pritë në një nga dhomat e shtëpisë dhe Dalila i thirri Samsonit: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Atëherë Samsoni i këputi telat e harkut, si fije liri pranë zjarrit. Kështu, e fshehta e fuqisë së tij mbeti e panjohur.
Dalila i tha Samsonit: «U talle me mua e më the gënjeshtra. Më thuaj, pra, me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Nëse më lidhin me litarë të rinj, që nuk janë përdorur kurrë, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Atëherë Dalila mori litarë të rinj, e lidhi me to dhe bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Ndërkohë që disa filistinë kishin zënë pritë në një nga dhomat e shtëpisë. Samsoni i këputi litarët si të ishin fije peri.
Atëherë Dalila i tha Samsonit: «Deri tani je tallur me mua e më ke thënë gënjeshtra. Tregomë me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Duke thurur me kunjin e tezgjahut shtatë gërsheta në kokën time». Dalila ia thuri gërshetat dhe ia lidhi me kunjin e tezgjahut. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi dhe e shkuli kunjin e tezgjahut me gjithë tezgjah.
Dalila i tha Samsonit: «Si mund të thuash se më do, kur zemra jote nuk është me mua? Më gënjeve tri herë dhe nuk ma tregove se ku qëndron fuqia jote e madhe». Ajo e mërziste çdo ditë me fjalë dhe e ngacmonte pa pushim, aq sa Samsoni u pikëllua për vdekje, i hapi zemrën e i tha: «Kokën time nuk e ka prekur kurrë brisku, sepse i jam kushtuar Perëndisë si nazireas, që në bark të nënës. Nëse rruhem, më ikën fuqia dhe bëhem i dobët si njerëzit e tjerë».
Dalila pa se Samsoni i kishte folur me zemër të hapur dhe u çoi fjalë prijësve të filistinëve që të vinin, sepse Samsoni i kishte folur me zemër të hapur. Ata shkuan tek Dalila me monedhat e argjendit në dorë. Dalila e vuri Samsonin në gjumë mbi prehrin e saj dhe thirri dikë që i rroi të shtatë gërshetat e flokëve. Atëherë ajo filloi ta nënshtrojë Samsonin, sepse atë e lanë fuqitë. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi, duke menduar se do të dilte e do të shpëtonte si herët e tjera, por nuk e dinte se ZOTI ishte larguar prej tij. Kështu. filistinët e kapën, i nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E ndrynë në burg, e lidhën me vargonj bronzi dhe e vunë të rrotullojë mokrën. Ndërkohë, flokët e rruar filluan t'i rriteshin sërish.