Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 15:7-17

Gjyqtarët 15:7-17 AL1

Samsoni u tha filistinëve: «Meqë vepruat kështu, nuk do të prehem derisa të kem marrë hak ndaj jush». I sulmoi pa mëshirë e bëri kërdinë. Pastaj shkoi të banojë në shpellën e shkëmbit të Etamit. Atëherë filistinët shkuan në Judë dhe ngritën fushimin deri pranë Lehit. Burrat e fisit të Judës u thanë: «Përse keni ardhur të na sulmoni?». Ata u përgjigjën: «Kemi ardhur të lidhim Samsonin dhe të hakmerremi për atë që na bëri». Tre mijë burra nga fisit i Judës shkuan te shpella e shkëmbit të Etamit e i thanë Samsonit: «A nuk e di ti se filistinët janë sunduesit tanë? Ç'na bëre?». Samsoni iu përgjigj: «Ua bëra siç ma bënë». Ata i thanë: «Kemi ardhur të të lidhim e të të dorëzojmë te filistinët». Ai u tha: «M'u betoni se nuk do të më vrisni». Ata i thanë: «Jo, duam vetëm të të lidhim e të të dorëzojmë tek ata». E lidhën me dy litarë dhe e nxorën nga shpella. Kur Samsoni mbërriti në Lehi, filistinët e pritën me britma ngazëllimi. Atëherë shpirti i ZOTIT e pushtoi Samsonin, ndërsa litarët, që e mbanin lidhur, u bënë si fije liri të djegura në zjarr. Edhe zinxhirët iu shkëputën nga duart. Atëherë ai gjeti një nofull gomari ende të freskët, zgjati dorën, e mori dhe me të goditi një mijë burra. Dhe Samsoni tha: «Me një nofull gomari, pirgje-pirgje i bëra, me një nofull gomari, një mijë burra vrava». Kur mbaroi së foluri, e hodhi tej nofullën. Atë vend e quajti Ramat Lehi.