Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 14:8-20

Gjyqtarët 14:8-20 AL1

Pas disa ditësh u kthye për ta marrë dhe doli nga rruga për të parë kufomën e luanit. Brenda kufomës kishte një luzmë bletësh dhe mjaltë. Mori ca mjaltë në dorë dhe po e hante rrugës. Kur mbërriti tek i ati dhe e ëma, u dha edhe atyre të hanin, por nuk u tregoi se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit. I ati i Samsonit shkoi te gruaja dhe aty Samsoni shtroi një gosti, siç e kishin zakon të rinjtë. Kur e panë banorët e qytetit, i caktuan tridhjetë shokë, që të rrinin me të. Samsoni u tha: «Do t'ju tregoj një gjëegjëzë. Po ta gjeni gjatë shtatë ditëve të festës, do t'ju jap tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba, por, po të mos e gjeni, do të më jepni ju tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba». Ata i thanë: «Tregoje gjëegjëzën, që ta dëgjojmë». Samsoni u tha: «Prej gllabëruesit doli ushqim, prej të fortit ëmbëlsirë». Për tri ditë nuk ia dolën ta gjenin gjëegjëzën. Ditën e shtatë i thanë gruas së Samsonit: «Mbushja mendjen tët shoqi të na e tregojë gjëegjëzën, në mos do të të djegim ty dhe shtëpinë e tët eti. Për çfarë na ftuat, që të na lini lakuriq?». Atëherë gruaja e Samsonit qau para tij e i tha: «Ti më urren e nuk më do. U the një gjëegjëzë bijve të popullit tim, por mua nuk ma tregove përgjigjen». Samsoni i tha: «Nuk ia kam treguar as atit tim, as nënës sime. Mos vallë do të ta tregoj ty?». Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës dhe ditën e shtatë Samsoni ia tregoi përgjigjen e gjëegjëzës, ngaqë ajo e mërziti shumë. Ajo ua tregoi përgjigjen bijve të popullit të saj. Ditën e shtatë, para perëndimit të diellit, ata i thanë: «Ç'është më i ëmbël se mjalti? Ç'është më i fortë se luani?». Atëherë Samsoni u tha: «Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, gjëegjëzën s'kishit për ta gjetur». Shpirti i ZOTIT e pushtoi Samsonin e ai zbriti në Ashkelon. Atje vrau tridhjetë nga burrat e qytetit dhe rrobat e tyre ua dha atyre që kishin gjetur gjëegjëzën. Pastaj, i ndezur nga zemërimi, u kthye në shtëpinë e të atit. Gruan e Samsonit ia dhanë shoqëruesit të tij, shokut të tij të ngushtë.