Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 14:8-20

Gjyqtarët 14:8-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas disa ditësh u kthye për ta marrë dhe doli nga rruga për të parë kufomën e luanit. Brenda kufomës kishte një luzmë bletësh dhe mjaltë. Mori ca mjaltë në dorë dhe po e hante rrugës. Kur mbërriti tek i ati dhe e ëma, u dha edhe atyre të hanin, por nuk u tregoi se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit. I ati i Samsonit shkoi te gruaja dhe aty Samsoni shtroi një gosti, siç e kishin zakon të rinjtë. Kur e panë banorët e qytetit, i caktuan tridhjetë shokë, që të rrinin me të. Samsoni u tha: «Do t'ju tregoj një gjëegjëzë. Po ta gjeni gjatë shtatë ditëve të festës, do t'ju jap tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba, por, po të mos e gjeni, do të më jepni ju tridhjetë petka liri dhe tridhjetë palë rroba». Ata i thanë: «Tregoje gjëegjëzën, që ta dëgjojmë». Samsoni u tha: «Prej gllabëruesit doli ushqim, prej të fortit ëmbëlsirë». Për tri ditë nuk ia dolën ta gjenin gjëegjëzën. Ditën e shtatë i thanë gruas së Samsonit: «Mbushja mendjen tët shoqi të na e tregojë gjëegjëzën, në mos do të të djegim ty dhe shtëpinë e tët eti. Për çfarë na ftuat, që të na lini lakuriq?». Atëherë gruaja e Samsonit qau para tij e i tha: «Ti më urren e nuk më do. U the një gjëegjëzë bijve të popullit tim, por mua nuk ma tregove përgjigjen». Samsoni i tha: «Nuk ia kam treguar as atit tim, as nënës sime. Mos vallë do të ta tregoj ty?». Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës dhe ditën e shtatë Samsoni ia tregoi përgjigjen e gjëegjëzës, ngaqë ajo e mërziti shumë. Ajo ua tregoi përgjigjen bijve të popullit të saj. Ditën e shtatë, para perëndimit të diellit, ata i thanë: «Ç'është më i ëmbël se mjalti? Ç'është më i fortë se luani?». Atëherë Samsoni u tha: «Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, gjëegjëzën s'kishit për ta gjetur». Shpirti i ZOTIT e pushtoi Samsonin e ai zbriti në Ashkelon. Atje vrau tridhjetë nga burrat e qytetit dhe rrobat e tyre ua dha atyre që kishin gjetur gjëegjëzën. Pastaj, i ndezur nga zemërimi, u kthye në shtëpinë e të atit. Gruan e Samsonit ia dhanë shoqëruesit të tij, shokut të tij të ngushtë.

Gjyqtarët 14:8-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas disa ditësh ai u kthye për ta marrë me vete dhe doli nga rruga për të parë skeletin e luanit; dhe ja, në trupin e luanit kishte një mori bletësh dhe mjaltë. Ai mori pak mjaltë në dorë dhe filloi ta hajë ndërsa po ecte; kur arriti tek i ati dhe tek e ëma, u dha edhe atyre dhe ata e hëngrën; por nuk u tha që e kishte marrë mjaltin nga trupi i luanit. Pastaj i ati zbriti tek ajo grua, dhe aty Sansoni shtroi një gosti siç e kishin zakon të rinjtë. Dhe ndodhi që, kur njerëzit e panë vendit, ata morën tridhjetë shokë, që të rrinin bashkë me të. Sansoni u tha atyre: "Unë do t'ju propozoj një gjëzë; në rast se ju arrini të gjeni shpjegimin e saj të ma njoftoni brenda shtatë ditëve të gostisë, do t'ju jap tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash; por në rast se nuk mund të ma shpjegoni, do të më jepni mua tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash". Ata iu përgjigjën: "Propozo gjëzën tënde, që ta dëgjojmë". Ai u tha atyre: "Nga gllabëruesi doli ushqimi, dhe nga i forti doli e ëmbla". Tri ditë me radhë ata nuk arritën ta shpjegojnë gjëzën. Ditën e shtatë i thanë bashkëshortes së Sansonit: "Mbushja mendjen burrit tënd që të na shpjegojë gjëzën; ndryshe do të të djegim ty dhe do t'i vëmë flakën shtëpisë së atit tënd. A na keni ftuar për të na zhveshur? Vallë a s'është ashtu?". Gruaja e Sansonit qau para tij dhe i tha: "Ti ke vetëm urrejtje ndaj meje dhe nuk më do; ti u propozove një gjëzë bijve të popullit tim, por nuk ia shpjegova as atit tim; as nënës sime, pse duhet të ta shpjegoj ty?". Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës. Kështu ditën e shtatë Sansoni ia shpjegoi, sepse e mërziste; pastaj ua shpjegoi gjëzën bijve të popullit të saj. Njerëzit e qytetit, ditën e shtatë, para se të perëndonte dita, i thanë Sansonit: "A ka gjë më të ëmbël se mjalti? A ka gjë më të fortë se luani?". Dhe ai iu përgjigj atyre: "Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, nuk do ta kishit zgjidhur gjëzën time". Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi të në mënyrë të fuqishme, dhe ai zbriti deri në Ashkelon, vrau tridhjetë njerëz nga ata, mori plaçkat e tyre dhe u dha ndërresat e rrobave atyre që e kishin shpjeguar gjëzën. Kështu zemërimi i tij u ndez; pastaj ai u ngjit përsëri në shtëpinë e të atit. Por gruan e Sansonit ia dhanë shokut të tij, që kishte qenë shoku i tij më i mirë.