Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 13:2-25

Gjyqtarët 13:2-25 AL1

Në atë kohë, në Corah jetonte një njeri nga fisi i Danit që quhej Manoah. Gruaja e tij ishte beronjë e nuk kishte fëmijë. Engjëlli i ZOTIT iu shfaq gruas së tij e i tha: «Edhe pse je beronjë e nuk lind dot fëmijë, do të mbesësh shtatzënë e do të lindësh djalë. Veçse kujdes, mos pi as verë, as pije dehëse e mos ha asgjë të papastër, sepse do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë. Mbi kokën e tij nuk do të kalojë brisku, sepse ai do t'i kushtohet Perëndisë si nazireas që në bark të nënës. Ai do ta nisë shpëtimin e Izraelit prej zgjedhës së filistinëve». Gruaja shkoi e i tha të shoqit: «Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë dhe kishte pamjen e një engjëlli Perëndie, vërtet të frikshme. Nuk e pyeta nga vinte e nuk më tregoi si quhej, por më tha: “Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë, prandaj mos pi as verë, as pije dehëse e mos ha asgjë të papastër, sepse djali do t'i kushtohet Perëndisë, derisa të vdesë”». Atëherë Manoahu iu lut ZOTIT e i tha: «Të lutem, o Zoti im, dërgoje sërish njeriun e Perëndisë, që dërgove më parë, të na mësojë çfarë të bëjmë me djalin që do të lindë». Perëndia e dëgjoi lutjen e Manoahut dhe engjëlli i Perëndisë shkoi përsëri te gruaja që po rrinte ulur në arë, por burri i saj Manoahu nuk ishte me të. Atëherë gruaja shkoi me nxitim për t'i treguar të shoqit e i tha: «M'u shfaq përsëri ai njeriu që pati ardhur tek unë para disa ditësh». Manoahu u ngrit e shkoi pas gruas së tij. Kur mbërriti tek ai njeri, e pyeti: «Ti je njeriu që ke folur me këtë grua?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». Manoahu i tha: «Kur të përmbushet fjala jote, çfarë rregullash duhet të mbajmë për djaloshin dhe si duhet të veprojmë me të?». Engjëlli i ZOTIT i tha Manoahut: «Gruaja jote duhet të ruhet nga gjithçka që i thashë. Të mos hajë asnjë prodhim të hardhisë, të mos pijë verë e pije dehëse dhe të mos hajë asgjë të papastër. Të mbajë gjithçka që i urdhërova». Manoahu i tha engjëllit të ZOTIT: «Të lutemi rri të të përgatitim një kec». Engjëlli i ZOTIT i tha Manoahut: «Edhe sikur të më mbash, nuk kam për të ngrënë nga buka jote, por, nëse dëshiron të kushtosh një fli shkrumbimi, kushtoja ZOTIT». Manoahu nuk e dinte që ai ishte engjëlli i ZOTIT. Atëherë Manoahu i tha engjëllit të ZOTIT: «Si e ke emrin, që të mund të të nderojmë pasi të jetë përmbushur fjala jote?». Engjëlli i ZOTIT i tha: «Përse më pyet për emrin? Është emër i mrekullueshëm». Manoahu mori një kec bashkë me flinë e drithit dhe ia kushtoi ZOTIT mbi gurë. Atëherë një mrekulli ndodhi para syve të Manoahut dhe gruas së tij. Teksa flaka po ngjitej prej altarit në qiell, engjëlli i ZOTIT u ngjit bashkë me flakën e altarit. Kur e panë këtë, Manoahu me gruan e tij ranë me fytyrë përtokë. Engjëlli i ZOTIT nuk iu shfaq më Manoahut dhe gruas së tij. Manoahu e kuptoi se ai kishte qenë engjëlli i ZOTIT e i tha së shoqes: «Kemi për të vdekur, se pamë Perëndinë». E shoqja i tha: «Nëse ZOTI do të donte që të vdisnim, nuk do ta kishte pranuar flinë tonë të shkrumbimit bashkë me flinë tonë të drithit, nuk do të na i tregonte të gjitha këto gjëra e nuk do të na fliste për to». Gruaja lindi djalë dhe e quajti Samson. Djali u rrit dhe ZOTI e bekoi. Shpirti i ZOTIT e nxiti Samsonin të veprojë kur ai ndodhej në fushat e Danit, mes Corahut dhe Eshtaolit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë