Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 13:2-25

Gjyqtarët 13:2-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në atë kohë, në Corah jetonte një njeri nga fisi i Danit që quhej Manoah. Gruaja e tij ishte beronjë e nuk kishte fëmijë. Engjëlli i ZOTIT iu shfaq gruas së tij e i tha: «Edhe pse je beronjë e nuk lind dot fëmijë, do të mbesësh shtatzënë e do të lindësh djalë. Veçse kujdes, mos pi as verë, as pije dehëse e mos ha asgjë të papastër, sepse do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë. Mbi kokën e tij nuk do të kalojë brisku, sepse ai do t'i kushtohet Perëndisë si nazireas që në bark të nënës. Ai do ta nisë shpëtimin e Izraelit prej zgjedhës së filistinëve». Gruaja shkoi e i tha të shoqit: «Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë dhe kishte pamjen e një engjëlli Perëndie, vërtet të frikshme. Nuk e pyeta nga vinte e nuk më tregoi si quhej, por më tha: “Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të lindësh një djalë, prandaj mos pi as verë, as pije dehëse e mos ha asgjë të papastër, sepse djali do t'i kushtohet Perëndisë, derisa të vdesë”». Atëherë Manoahu iu lut ZOTIT e i tha: «Të lutem, o Zoti im, dërgoje sërish njeriun e Perëndisë, që dërgove më parë, të na mësojë çfarë të bëjmë me djalin që do të lindë». Perëndia e dëgjoi lutjen e Manoahut dhe engjëlli i Perëndisë shkoi përsëri te gruaja që po rrinte ulur në arë, por burri i saj Manoahu nuk ishte me të. Atëherë gruaja shkoi me nxitim për t'i treguar të shoqit e i tha: «M'u shfaq përsëri ai njeriu që pati ardhur tek unë para disa ditësh». Manoahu u ngrit e shkoi pas gruas së tij. Kur mbërriti tek ai njeri, e pyeti: «Ti je njeriu që ke folur me këtë grua?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». Manoahu i tha: «Kur të përmbushet fjala jote, çfarë rregullash duhet të mbajmë për djaloshin dhe si duhet të veprojmë me të?». Engjëlli i ZOTIT i tha Manoahut: «Gruaja jote duhet të ruhet nga gjithçka që i thashë. Të mos hajë asnjë prodhim të hardhisë, të mos pijë verë e pije dehëse dhe të mos hajë asgjë të papastër. Të mbajë gjithçka që i urdhërova». Manoahu i tha engjëllit të ZOTIT: «Të lutemi rri të të përgatitim një kec». Engjëlli i ZOTIT i tha Manoahut: «Edhe sikur të më mbash, nuk kam për të ngrënë nga buka jote, por, nëse dëshiron të kushtosh një fli shkrumbimi, kushtoja ZOTIT». Manoahu nuk e dinte që ai ishte engjëlli i ZOTIT. Atëherë Manoahu i tha engjëllit të ZOTIT: «Si e ke emrin, që të mund të të nderojmë pasi të jetë përmbushur fjala jote?». Engjëlli i ZOTIT i tha: «Përse më pyet për emrin? Është emër i mrekullueshëm». Manoahu mori një kec bashkë me flinë e drithit dhe ia kushtoi ZOTIT mbi gurë. Atëherë një mrekulli ndodhi para syve të Manoahut dhe gruas së tij. Teksa flaka po ngjitej prej altarit në qiell, engjëlli i ZOTIT u ngjit bashkë me flakën e altarit. Kur e panë këtë, Manoahu me gruan e tij ranë me fytyrë përtokë. Engjëlli i ZOTIT nuk iu shfaq më Manoahut dhe gruas së tij. Manoahu e kuptoi se ai kishte qenë engjëlli i ZOTIT e i tha së shoqes: «Kemi për të vdekur, se pamë Perëndinë». E shoqja i tha: «Nëse ZOTI do të donte që të vdisnim, nuk do ta kishte pranuar flinë tonë të shkrumbimit bashkë me flinë tonë të drithit, nuk do të na i tregonte të gjitha këto gjëra e nuk do të na fliste për to». Gruaja lindi djalë dhe e quajti Samson. Djali u rrit dhe ZOTI e bekoi. Shpirti i ZOTIT e nxiti Samsonin të veprojë kur ai ndodhej në fushat e Danit, mes Corahut dhe Eshtaolit.

Gjyqtarët 13:2-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ishte një njeri nga Tsorahu, prej familjes së danitëve, që quhej Manoah; gruaja e tij ishte shterpë dhe nuk kishte fëmijë. Engjëlli i Zotit iu shfaq kësaj gruaje dhe i tha: "Ja, ti je shterpë dhe nuk ke fëmijë, por ke për të mbetur me barrë dhe do të pjellësh një fëmijë. Prandaj ruhu se pi verë o pije dehëse, dhe mos ha asnjë gjë të papastër. Sepse ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë, mbi kokën e të cilit nuk do të kalojë brisku, sepse fëmija do të jetë një nazire kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij; ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e filistenjve". Atëherë gruaja shkoi t'i thotë bashkëshortit të saj: "Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë; pamja e tij ishte si ajo e Engjëllit të Perëndisë, me të vërtetë e frikshme. Unë nuk e pyeta se nga vinte, dhe ai nuk më tha emrin e tij; por më tha: "Ja, ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë; prandaj tani mos pi verë as pije dehëse, dhe mos ha asgjë të papastër, sepse fëmija do të jetë një nazire i kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij deri në ditën e vdekjes së tij"". Atëherë Manoahu iu lut me të madhe Zotit dhe i tha: "O Zot, të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur". Perëndia e dëgjoi zërin e Manoahut; dhe Engjëlli i Perëndisë u kthye përsëri te gruaja, ndërsa ajo ndodhej në arë, por burri i saj Manoah nuk ishte me të. Dhe gruaja me të shpejtë shkoi të informojë bashkëshortin e saj dhe i tha: "Ja, m'u shfaq ai burrë, që erdhi tek unë pardje". Atëherë Manoahu u ngrit dhe ndoqi gruan e tij dhe, kur arritën tek ai njeri, i tha: "Ti je ai njeri që i foli kësaj gruaje?". Ai u përgjigj: "Jam unë". Por Manoahu tha: "Kur të realizohet fjala jote, cili duhet të jetë stili i jetës së djalit dhe ç'duhet të bëjë?". Engjëlli i Zotit iu përgjigj Manoahut: "Gruaja duhet të ketë kujdes për të gjitha ato që i thashë. Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë a pije dehëse, dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër; të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar". Atëherë Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Na lejo të të mbajmë dhe të të përgatisim një kec!". Engjëlli i Zotit iu përgjigj Manoahut me këto fjalë: "Edhe sikur të më mbash nuk do ta ha ushqimin tënd; por në rast se ti dëshiron të bësh një holokaust, ofroja Zotit". (Manoahu nuk e dinte se ai ishte Engjëlli i Zotit). Pastaj Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Cili është emri yt që të realizohen fjalët e tua, ne të kemi mundësi të të nderojmë?". Engjëlli i Zotit iu përgjigj: "Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm". Kështu Manoahu mori kecin dhe blatimin e ushqimit dhe ia ofroi Zotit mbi gurin. Atëherë Engjëlli bëri një mrekulli, ndërsa Manoahu dhe e shoqja shikonin; ashtu si flaka ngjitej nga altari në qiell, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Duke parë këtë, Manoahu bashkë me gruan e tij ranë përmbys për tokë. Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më as Manoahut, as bashkëshortes së tij. Atëherë Manoahu kuptoi se ai ishte Engjëlli i Zotit. Manoahu i tha pastaj bashkëshortes së tij: "Ne me siguri do të vdesim, sepse pamë Perëndinë". Por e shoqja i tha: "Po të kishte dashur me të vërtetë vdekjen tonë, Zoti nuk do të kishte pranuar nga duart tona holokaustin dhe blatimin e ushqimit, as do të na kishte treguar tërë këto gjëra, dhe tani nuk do të bënte që të dëgjonim gjëra si këto". Pastaj gruaja lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Sanson. Fëmija u rrit dhe Zoti e bekoi. Fryma e Zotit filloi të lëvizë mbi të në kampin e Danit, midis Tsorahut dhe Eshtaolit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë