Isaia 62
62
Lavdia e Jerusalemit
1Për hir të Sionit nuk do të hesht,
për hir të Jerusalemit gojën nuk do ta mbyll,
derisa drejtësia e tij të agojë si drita
e shpëtimi i tij të ndizet si pishtari.
2Kombet do ta shohin drejtësinë tënde,
të gjithë mbretërit lavdinë tënde.
Do të quhesh me një emër të ri,
që do ta caktojë goja e Zotit.
3Kurorë e çmuar do të jesh në dorën e Zotit,
kësulë mbretërore në pëllëmbën e Perëndisë tënd.
4Nuk do të quhesh më «e lëna»,
as toka jote s'do të quhet më «e shkretuara»,
por do të quhesh «kënaqësia ime»
dhe toka jote «e martuara»,
sepse me ty kënaqet Zoti
dhe toka jote e martuar do të jetë.
5Sikurse i riu martohet me vashën,
ashtu do të martohen bijtë e tu me ty,
sikurse dhëndri i gëzohet nuses,
ashtu Perëndia yt gëzohet me ty.
6Mbi muret e tua, o Jerusalem,
rojtarë unë kam caktuar,
që, as ditën e as natën,
kurrë nuk do të heshtin.
O ju, që ia kujtoni Zotit premtimet,
aspak mos reshtni
7e mos e lini të pushojë,
derisa t'i ketë përtërirë themelet e Jerusalemit
e ta ketë bërë atë lavdinë e tokës mbarë.
8U betua Zoti për të djathtën e tij
dhe për krahun e tij të fuqishëm:
«Drithin tënd armiqve të tu
s'do t'ua jap më kurrë për ushqim
e të huajt, prej verës së mundit tënd,
s'do të pinë më kurrë
9e ata që e mblodhën do ta hanë
dhe do të lavdërojnë Zotin,
ata që e volën do të pinë
në tremen e shenjtërores sime».
10Kaloni, kaloni nëpër porta!
Bëjeni gati udhën për popullin!
Shtrojeni, shtrojeni rrugën,
pastrojeni nga gurët,
valëvisni flamurin para popujve!
11 Zoti shpalli deri në skajet e tokës:
«I thoni bijës së Sionit:
ja, po vjen shpëtimtari yt!
Ja, me vete ka shpërblimin!
Përpara i prin shpagimi!
12“Popull i shenjtë” do t'i quajnë,
“të shpenguarit e Zotit”.
Ndërsa ti do të quhesh “i kërkuari”,
“qyteti i pabraktisur”».
Aktualisht i përzgjedhur:
Isaia 62: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020