Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 60:1-11

Isaia 60:1-11 AL1

Ngrihu e shkëlqe, se po vjen drita jote! Lavdia e ZOTIT mbi ty po agon! Ja, tokën po e mbulon terri, popujt errësira e thellë, ndërsa mbi ty do të agojë ZOTI, lavdia e tij mbi ty do të shfaqet. Drejt dritës sate do të ecin kombet, mbretërit drejt shkëlqimit të agimit tënd. Ngriji sytë përreth e shiko, janë mbledhur të gjithë e po vijnë te ti. Prej së largu do të vijnë bijtë e tu, bijat e tua do të sillen në krahë. Atëherë do të shohësh e do të shkëlqesh, zemra fort do të të rrahë, se pasuritë e detit mbi ty do të derdhen e të mirat e kombeve te ti do të vijnë. Një mori devesh do të të mbulojë, gamile prej Midianit dhe Efahut, të gjithë do të vijnë prej Shebës. Ar e temjan do të mbartin e do të shpallin lavdërimet e ZOTIT. Gjithë dhentë e Kedarit do të mblidhen te ti, deshtë e Nebajotit do të jenë në shërbimin tënd. Do të kushtohen si fli e pëlqyeshme mbi altarin tim e do ta madhëroj më shumë tempullin tim të lavdishëm. Ç'janë ato që fluturojnë si retë, porsi pëllumbat drejt foleve të tyre? Ja, ishujt e largët tek më presin, me në krye anijet e Tarshishit. Bijtë e tu prej së largu do t'i sjellin, me vete do të mbajnë argjendin e arin e tyre, për nder të emrit të ZOTIT, Perëndisë tënd, për nder të të shenjtit të Izraelit, që të dha lavdi. Të huajt do t'i ndërtojnë muret e tua, mbretërit e tyre do të të shërbejnë, se vërtet në zemërimin tim të ndëshkova, por nga mirësia ime pata mëshirë për ty. Portat e tua do të rrinë përherë hapur, nuk do të mbyllen as ditën, as natën, që të të sjellin pasurinë e kombeve, me mbretërit e tyre në krye.