Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 5:8-30

Isaia 5:8-30 AL1

Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi, mjerë kush arës i shton arë! Në fund s'do të ketë më vend, vetmitarë do të jeni në mes të tokës. Në veshët e mi ZOTI i ushtrive u betua: vërtet shumë shtëpi do të mbesin të shkreta, të mëdha e aq të bukura, por pa banorë. Tre hektarë vreshta veç një vozë verë, dhjetë thasë farë veç një thes fare. Mjerë ata që rendin qëmenatë pas pijeve dehëse e rrinë deri natën vonë duke u dendur me verë. Në festat e tyre ka harpa e qeste, dajre, fyej e verë, por as që duan t'ia dinë për veprën e ZOTIT, bëmat e duarve të tij as që i vënë re. Ndaj populli im do të degdiset nga padija, prej urisë do të vuajnë fisnikët e tij, turmat do t'i përvëlojë etja. Skëterra e ka hapur mirë grykën, gojën e ka shqyer gjerë e gjatë. Në të do të bien fisnikët e turmat, ajo shamatë e tërë ajo festë. Njeriu do të poshtërohet, shumë poshtë do të bjerë, vështrimi i krenarëve do të përulet. Do të lartësohet ZOTI i ushtrive, kur të shpallë gjykim, Perëndia i shenjtë do ta dëftejë shenjtërinë, kur të bëjë drejtësi. Do të kullotin atje qengjat si në livadhin e tyre, të huajt do të ushqehen në rrënojat e pasanikëve. Mjerë ata që, me litarët e mashtrimit, tërheqin pas vetes paudhësinë, dhe mëkatin me litarët e qerres. E thonë: «Të nxitojë e ta bëjë shpejt veprën e tij, që ta shohim, të përmbushen sa më shpejt shestimet e të shenjtit të Izraelit, që ta njohim». Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë e të mirën të keqe, që terrin e mbajnë për dritë e dritën për errësirë, që hidhësinë e mbajnë për të ëmbël e të ëmblën për të hidhur. Mjerë ata që mbahen për të urtë, që kujtojnë se janë të mençur. Mjerë ata që janë trima për të pirë verë e mjeshtra për të përzier pijet dehëse, që e shfajësojnë të paudhin për të marrë mitë e të drejtit ia mohojnë drejtësinë. Ndaj, sikur gjuha e zjarrit djeg kashtën e flaka përpin bykun, ashtu do t'u kalbet rrënja e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri, se e hodhën poshtë ligjin e ZOTIT të ushtrive, e përçmuan fjalën e të shenjtit të Izraelit. Prandaj u ndez zemërimi i ZOTIT kundër popullit, prandaj e shtriu dorën për t'i goditur. Malet fort u trandën e kufomat e tyre si plehu mbuluan rrugët, por zemërimi i tij nuk u fashit e dora e tij është ende e shtrirë. Flamurin do të ngrejë për kombet e largëta, do t'u fërshëllejë deri në skajet e tokës e, ja, kur t'ia behin shpejt e vetëtimthi. Asnjë s'është i lodhur apo i këputur, asnjë nuk dremit e nuk përgjumet, Brezi nga ijët nuk u zgjidhet, rripat e sandaleve nuk u këputen. Shigjetat e tyre janë të mprehta, harqet të ndehura, thundrat e kuajve të forta si gur stralli, rrotat e qerreve të luftës si vorbulla e erës. Ulërima e tyre si ulërimë luani, ulërijnë si këlyshë luani. Hungërojnë, zënë prenë, në vend të sigurt e shpien e askush nuk ua rrëmben. Do të ulërijnë atë ditë mbi të, siç ulërin deti, Do të hedhin sytë mbi vendin, do të shohin errësirë e fatkeqësi, dritën të errësuar prej reve.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë