Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 5:8-30

Isaia 5:8-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi, mjerë kush arës i shton arë! Në fund s'do të ketë më vend, vetmitarë do të jeni në mes të tokës. Në veshët e mi ZOTI i ushtrive u betua: vërtet shumë shtëpi do të mbesin të shkreta, të mëdha e aq të bukura, por pa banorë. Tre hektarë vreshta veç një vozë verë, dhjetë thasë farë veç një thes fare. Mjerë ata që rendin qëmenatë pas pijeve dehëse e rrinë deri natën vonë duke u dendur me verë. Në festat e tyre ka harpa e qeste, dajre, fyej e verë, por as që duan t'ia dinë për veprën e ZOTIT, bëmat e duarve të tij as që i vënë re. Ndaj populli im do të degdiset nga padija, prej urisë do të vuajnë fisnikët e tij, turmat do t'i përvëlojë etja. Skëterra e ka hapur mirë grykën, gojën e ka shqyer gjerë e gjatë. Në të do të bien fisnikët e turmat, ajo shamatë e tërë ajo festë. Njeriu do të poshtërohet, shumë poshtë do të bjerë, vështrimi i krenarëve do të përulet. Do të lartësohet ZOTI i ushtrive, kur të shpallë gjykim, Perëndia i shenjtë do ta dëftejë shenjtërinë, kur të bëjë drejtësi. Do të kullotin atje qengjat si në livadhin e tyre, të huajt do të ushqehen në rrënojat e pasanikëve. Mjerë ata që, me litarët e mashtrimit, tërheqin pas vetes paudhësinë, dhe mëkatin me litarët e qerres. E thonë: «Të nxitojë e ta bëjë shpejt veprën e tij, që ta shohim, të përmbushen sa më shpejt shestimet e të shenjtit të Izraelit, që ta njohim». Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë e të mirën të keqe, që terrin e mbajnë për dritë e dritën për errësirë, që hidhësinë e mbajnë për të ëmbël e të ëmblën për të hidhur. Mjerë ata që mbahen për të urtë, që kujtojnë se janë të mençur. Mjerë ata që janë trima për të pirë verë e mjeshtra për të përzier pijet dehëse, që e shfajësojnë të paudhin për të marrë mitë e të drejtit ia mohojnë drejtësinë. Ndaj, sikur gjuha e zjarrit djeg kashtën e flaka përpin bykun, ashtu do t'u kalbet rrënja e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri, se e hodhën poshtë ligjin e ZOTIT të ushtrive, e përçmuan fjalën e të shenjtit të Izraelit. Prandaj u ndez zemërimi i ZOTIT kundër popullit, prandaj e shtriu dorën për t'i goditur. Malet fort u trandën e kufomat e tyre si plehu mbuluan rrugët, por zemërimi i tij nuk u fashit e dora e tij është ende e shtrirë. Flamurin do të ngrejë për kombet e largëta, do t'u fërshëllejë deri në skajet e tokës e, ja, kur t'ia behin shpejt e vetëtimthi. Asnjë s'është i lodhur apo i këputur, asnjë nuk dremit e nuk përgjumet, Brezi nga ijët nuk u zgjidhet, rripat e sandaleve nuk u këputen. Shigjetat e tyre janë të mprehta, harqet të ndehura, thundrat e kuajve të forta si gur stralli, rrotat e qerreve të luftës si vorbulla e erës. Ulërima e tyre si ulërimë luani, ulërijnë si këlyshë luani. Hungërojnë, zënë prenë, në vend të sigurt e shpien e askush nuk ua rrëmben. Do të ulërijnë atë ditë mbi të, siç ulërin deti, Do të hedhin sytë mbi vendin, do të shohin errësirë e fatkeqësi, dritën të errësuar prej reve.

Isaia 5:8-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mjerë ata që i shtojnë shtëpisë një shtëpi tjetër, që bashkojnë një arë me një arë tjetër, derisa të mos ketë më vend, dhe kështu të mbeten të vetmuar për të banuar në mes të vendit. Në veshët e mi Zoti i ushtrive është betuar: "Në të vërtetë shumë shtëpi do të shkretohen, shtëpi të bukura dhe të mëdha do të mbeten pa banorë". Sepse dhjetë jugerë vresht do të prodhojnë vetëm një bato dhe një homer fare do të prodhojë vetëm një efa. Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t'u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera! Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij. Prandaj populli im shkon në robëri për mungesë njohurie, fisnikëria e tij vdes nga uria dhe turma e tij do të digjet nga etja. Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase, dhe në të do të zbresin lavdia e tij, turma e tij, zhurma e tij dhe ai që feston në të. Njeriu i zakonshëm do të përulet, njeriu i rëndësishëm do të ulet dhe sytë e krenarëve do të përulen. Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi. Atëherë qengjat do të kullosin si në kullotat e tyre dhe të huajt do të përpijnë arat e shkretuara të të pasurve. Mjerë ata që tërheqin padrejtësinë me litarët e falsitetit dhe mëkatin si me litarët e qerres, dhe thonë: "Le ta bëjë shpejt, le ta kryejë veprën e tij, që të mund ta shohim. Le të afrohet dhe të kryhet plani i të Shenjtit të Izraelit që të mund ta shohim". Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi! Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes! Mjerë kampionëve në pirjen e verës dhe të shkathëtëve në përzierjen e pijeve dehëse, që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij! Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe flaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit. Për këtë zemërimi i Zotit është ndezur kundër popullit të tij; ai ka shtrirë dorën e vet kundër tij dhe e ka goditur; kështu malet u drodhën dhe kufomat e tyre rrinë si mbeturina në mes të rrugëve; megjithëkëtë zemërimi i tij nuk është qetësuar dhe dora e tij rri e shtrirë. Ai do të ngrejë një flamur për kombet e largëta dhe do t'u fërshëllejë nga skajet e tokës; dhe ja, ato do të vijnë shpejt dhe menjëherë. Asnjë prej tyre nuk do të jetë i lodhur ose do të lëkundet, asnjë nuk ka për të dremitur ose për të fjetur; brezi i ijëve të tyre nuk do të zgjidhet, nuk do të këputet gjalma e këpucëve të tyre. Shigjetat e tyre janë me majë dhe tërë harqet e tyre janë të nderura; thundrat e kuajve të tyre do të duken si gurë dhe rrotat e qerreve të tyre si një shakullinë. Vrumbullima e tyre do të jetë si ajo e një luani: do të vrumbullojnë si luanë të vegjël, po, do të vrumbullojnë, do ta zënë gjahun dhe do ta çojnë në një vend të sigurt dhe askush nuk do t'ua heqë. Atë ditë do të ulërijnë kundër Judës ashtu si ulërin deti; po të shikosh vendin, ja errësira dhe ankthi, dhe drita do të errësohet nga retë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë