Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 45

45
Kiri, vegël e Zotit
1Kështu thotë Zoti për Kirin, të vajosurin e tij:
e kam kapur nga dora e tij e djathtë,
për të nënshtruar para tij kombet,
për t'ua hequr brezin nga ijët mbretërve,
dyert para tij për t'i hapur
e portat pas tij s'do të mbyllen.
2Para teje do të eci unë
e maloret do t'i rrafshoj,
portat prej bronzi do t'i copëtoj,
shulat prej hekuri do t'i thyej.
3Do të të jap thesare të fshehta,
pasuri të ruajtura në fshehtësi,
që ta dish se unë jam Zoti,
Perëndia i Izraelit, që të thirra me emër.
4Për hir të shërbëtorit tim, Jakobit,
dhe Izraelit, të zgjedhurit tim,
unë të kam thirrur në emër.
Ta bëra këtë nder,
ndonëse ti nuk më njihje.
5Unë jam Zoti e tjetër s'ka,
përveç meje nuk ka Perëndi,
unë t'i kam ngjeshur armët,
ndonëse ti nuk më njihje,
6që ta dinë prej lindjes së diellit
e deri në perëndim,
se tjetër veç meje s'ka.
Unë jam Zoti e tjetër s'ka.
7Unë i jap trajtë dritës,
unë e krijoj natën,
unë e sjell paqen,
unë e shkaktoj fatkeqësinë.
Unë, pra, jam Zoti,
që i krijoi të gjitha këto.
8Vesoni, o qiej, prej së larti,
o re, pikëloni drejtësi,
le të hapet toka, le të prodhojë shpëtim,
le të bëjë të mbijë edhe drejtësia.
Unë jam Zoti,
unë i kam krijuar.
Zoti i gjithëpushtetshëm
9Mjerë kush i kundërvihet krijuesit të vet,
se një copëz ene prej balte është!
A mund t'i thotë balta poçarit: «Ç'po bën?»
apo t'i thotë: «Vepra jote nuk paska vegë?».
10Mjerë kush i thotë atit të vet: «Ç'paske lindur?»
apo nënës së vet: «Ç'paske pjellë kështu?».
11Kështu thotë Zoti, i shenjti i Izraelit,
ai që të dha trajtë:
pse, për të ardhmen e bijve të mi
dashkeni të më pyesni?
Për veprën e duarve të mia
dashkeni të më urdhëroni?
12Unë e krijova tokën,
njeriun mbi të unë e bëra.
Unë i shpalosa qiejt me duart e mia,
mbarë ushtrinë qiellore unë e urdhëroj.
13Unë e ngrita, pra, Kirin, që të bëjë drejtësi,
e të gjitha udhët do t'ia drejtoj.
Ai do ta ndërtojë qytetin tim,
të robëruarit e mi ai do t'i kthejë,
pa shpërblim e pa dhurata,
thotë Zoti i ushtrive.
14Kështu thotë Zoti:
Prodhimi i Egjiptit, tregtia e Kushit
e trimat shtatlartë të sabaitëve
te ti do të kalojnë e të tutë do të jenë,
pas teje do të vijnë,
të prangosur do të ecin,
para teje do të përkulen,
ty do të të përgjërojnë duke thënë:
«Vetëm me ty është Perëndia,
Perëndi tjetër veç tij nuk ka».
15Vërtet ti je Perëndi i fshehur,
Perëndia i Izraelit, shpëtimtari!
16Do të turpërohen e do të skuqen të gjithë,
të turpëruar do të ecin ata që bëjnë idhujt.
17Izraeli është i shpëtuar nga Zoti,
me shpëtim të amshuar,
nuk do të turpërohet e nuk do të skuqet
për gjithë amshimin.
18Se kështu thotë Zoti, që krijoi qiejt,
ai, Perëndia, që i dha trajtë tokës dhe e krijoi,
që ia vuri themelet
e të shkretë nuk e bëri,
por e krijoi që të banohet:
Unë jam Zoti
e tjetër s'ka.
19Nuk kam folur në fshehtësi,
në një qoshe të errët të tokës.
Nuk u thashë pasardhësve të Jakobit,
që të më kërkojnë në vend të shkretë.
Unë jam Zoti, të drejtën them
e drejtësinë shpall.
20Ejani e mblidhuni,
afrohuni të gjithë ju, o të mbijetuarit e kombeve.
Asgjë s'dinë ata që mbartin idhuj druri
e i luten një hyjnie që s'i shpëton dot.
21Flisni, pra, dhe parashtrojeni çështjen,
këshillohuni të gjithë së bashku!
Kush e paratha këtë qëmoti,
kush e shpalli këtë që më parë?
A nuk isha unë, Zoti?
Perëndi tjetër veç meje s'ka.
Perëndi të drejtë e shpëtimtar
përveç meje nuk ka.
22Kthehuni tek unë e shpëtoni,
mbarë ju, o skajet e dheut!
Se unë jam Perëndia,
tjetër veç meje s'ka!
23Jam përbetuar për veten time,
nga goja ime ka dalë drejtësi,
një fjalë që s'do të merret mbrapsht,
se para meje do të përkulet çdo gju
e çdo gjuhë do të betohet për mua.
24Do të thonë për mua: «Vetëm në Zotin
e gjej drejtësinë e forcën».
Tek ai do të vijnë të turpëruar
të gjithë sa qenë zemëruar kundër tij.
25Zotin do të bëhen të drejtë
e do të përlëvdohen mbarë pasardhësit e Izraelit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 45: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë