Asokohe Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isai, biri i Amosit, shkoi tek ai e i tha: «Kështu thotë ZOTI: ndreqi punët e shtëpisë sate, se nuk do të jetosh gjatë. Do të vdesësh». Ezekia u kthye me fytyrë nga muri, iu lut ZOTIT e tha: «Të lutem, o ZOT, kujtohu se kam ecur në praninë tënde me besnikëri e me zemër të çiltër dhe kam bërë çka është mirë në sytë e ty». Dhe qau me ngashërim. Atëherë fjala e ZOTIT iu drejtua Isaisë: «Shko e thuaji Ezekisë: “Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Davidit, atit tënd: e dëgjova lutjen tënde e i pashë lotët e tu. Do të të jap edhe pesëmbëdhjetë vite jetë e do të të shpëtoj nga dora e mbretit të Asirisë. Do ta shpëtoj edhe këtë qytet e do ta mbroj”. Dhe kjo është shenja prej ZOTIT, se ZOTI do ta përmbushë këtë fjalë që tha: “Ja, hijen, që ka mbuluar shkallaren e Ahazit, e cila më përpara ishte në diell, do ta kthej pas dhjetë shkallare”». Atëherë dielli u tërhoq nga dhjetë shkallaret ku kishte zbritur.
Krijim i Ezekisë, mbretit të Judës, kur u sëmur e u shërua prej sëmundjes së tij:
«Në gjysmën e ditëve të mia po shkoj, thosha,
dënuar për te portat e skëterrës,
për ato vite që më kanë mbetur.
Nuk do ta shoh më ZOTIN, thosha,
ZOTIN në tokën e të gjallëve.
Nuk do të shoh më asnjërin
prej banorëve të botës.
U shkul banesa ime, u hodh larg prej meje,
ashtu siç shkulet tenda e barinjve.
Ma mbështolli jetën si fije endësi,
nga vegja ma këputi.
Nga agimi deri në mbrëmje
ke për të më dhënë fund.
Klitha deri në mëngjes,
si luani po m'i shtyp kockat.
Nga agimi deri në mbrëmje
ke për të më dhënë fund.
Krakëllija si lejleku e dallëndyshja,
porsi pëllumbesha gugatja,
sytë m'u këputën duke parë lart.
O Zot, jam ngushtë, bëhu mbrojtja ime!
Çfarë të them, që të më përgjigjet?
Është ai që ka vepruar.
Do të jetoj gjithë jetën
me hidhërim në shpirt.
O Zot, prej këtyre gjërave jetojnë njerëzit,
prej tyre rron edhe shpirti im.
Prandaj më shëro
e jetën ma përtëri.
Ja, në shëndet m'u kthye hidhërimi,
shpirtin prej gropës së shkatërrimit ma shpëtove,
Pas shpine ti i hodhe
të gjitha mëkatet e mia.
Se skëterra nuk të lavdëron
e vdekja nuk të përlëvdon,
ata që zbresin në gropë
nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.
I gjalli, vetëm i gjalli të lavdëron,
si unë sot.
Ati u mëson bijve të vet
besnikërinë tënde.
ZOTI deshi e më shpëtoi,
prandaj do t'i këndojmë me harpë,
gjithë ditët e jetës sonë,
në tempullin e ZOTIT».
Isaia tha: «Sillni një kulaç me fiq». Kulaçin ia vunë mbi plagë dhe Ezekia u shërua. Atëherë Ezekia tha: «Cila është shenja se do të shërohem e se do të shkoj në tempullin e ZOTIT?».