Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 38:1-22

Isaia 38:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Asokohe Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isai, biri i Amosit, shkoi tek ai e i tha: «Kështu thotë ZOTI: ndreqi punët e shtëpisë sate, se nuk do të jetosh gjatë. Do të vdesësh». Ezekia u kthye me fytyrë nga muri, iu lut ZOTIT e tha: «Të lutem, o ZOT, kujtohu se kam ecur në praninë tënde me besnikëri e me zemër të çiltër dhe kam bërë çka është mirë në sytë e ty». Dhe qau me ngashërim. Atëherë fjala e ZOTIT iu drejtua Isaisë: «Shko e thuaji Ezekisë: “Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Davidit, atit tënd: e dëgjova lutjen tënde e i pashë lotët e tu. Do të të jap edhe pesëmbëdhjetë vite jetë e do të të shpëtoj nga dora e mbretit të Asirisë. Do ta shpëtoj edhe këtë qytet e do ta mbroj”. Dhe kjo është shenja prej ZOTIT, se ZOTI do ta përmbushë këtë fjalë që tha: “Ja, hijen, që ka mbuluar shkallaren e Ahazit, e cila më përpara ishte në diell, do ta kthej pas dhjetë shkallare”». Atëherë dielli u tërhoq nga dhjetë shkallaret ku kishte zbritur. Krijim i Ezekisë, mbretit të Judës, kur u sëmur e u shërua prej sëmundjes së tij: «Në gjysmën e ditëve të mia po shkoj, thosha, dënuar për te portat e skëterrës, për ato vite që më kanë mbetur. Nuk do ta shoh më ZOTIN, thosha, ZOTIN në tokën e të gjallëve. Nuk do të shoh më asnjërin prej banorëve të botës. U shkul banesa ime, u hodh larg prej meje, ashtu siç shkulet tenda e barinjve. Ma mbështolli jetën si fije endësi, nga vegja ma këputi. Nga agimi deri në mbrëmje ke për të më dhënë fund. Klitha deri në mëngjes, si luani po m'i shtyp kockat. Nga agimi deri në mbrëmje ke për të më dhënë fund. Krakëllija si lejleku e dallëndyshja, porsi pëllumbesha gugatja, sytë m'u këputën duke parë lart. O Zot, jam ngushtë, bëhu mbrojtja ime! Çfarë të them, që të më përgjigjet? Është ai që ka vepruar. Do të jetoj gjithë jetën me hidhërim në shpirt. O Zot, prej këtyre gjërave jetojnë njerëzit, prej tyre rron edhe shpirti im. Prandaj më shëro e jetën ma përtëri. Ja, në shëndet m'u kthye hidhërimi, shpirtin prej gropës së shkatërrimit ma shpëtove, Pas shpine ti i hodhe të gjitha mëkatet e mia. Se skëterra nuk të lavdëron e vdekja nuk të përlëvdon, ata që zbresin në gropë nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde. I gjalli, vetëm i gjalli të lavdëron, si unë sot. Ati u mëson bijve të vet besnikërinë tënde. ZOTI deshi e më shpëtoi, prandaj do t'i këndojmë me harpë, gjithë ditët e jetës sonë, në tempullin e ZOTIT». Isaia tha: «Sillni një kulaç me fiq». Kulaçin ia vunë mbi plagë dhe Ezekia u shërua. Atëherë Ezekia tha: «Cila është shenja se do të shërohem e se do të shkoj në tempullin e ZOTIT?».

Isaia 38:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në atë kohë Ezekia u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse. Profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: "Kështu flet Zoti. Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe jo për t'u shëruar". Atëherë Ezekia e ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit: "Të lutem shumë, o Zot, kujto si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të pastër, dhe kam bërë atë që është mirë në sytë e tu". Pastaj Ezekia qau me të madhe. Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaias, duke thënë: "Shko dhe i thuaj Ezekias: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, ati yt: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tua; ja, do t'u shtoj pesëmbëdhjetë vjet ditëve të tua; do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet. Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit, Zoti do ta çojë në vend fjalën që ka thënë: ja, unë do të bëj që të sprapset dhjetë shkallare hija që për efekt të diellit është zgjatur mbi shkallaret e Ashazit. Dhe dielli u spraps dhjetë shkallare prej shkallareve nga kishte zbritur". I shkruar nga Ezekia, mbret i Judës, kur ra i sëmurë dhe u shërua nga sëmundja e tij. Unë thosha: "Në kulmin e ditëve të mia do të shkoj në portat e Sheolit; jam privuar nga mbetja e viteve të mia". Thosha: "Nuk do ta shoh më Zotin, po, Zotin, mbi dheun e të gjallëve, midis banorëve të botës të të vdekurve nuk do të shoh më asnjë njeri. Banesa ime tokësore është shkulur dhe u çua larg meje, si një çadër barinjsh. E kam mbështjellë jetën time si një endës. Ai më këputi nga vegja; nga dita në natë do t'i japësh fund jetës sime. E qetësova veten deri në mëngjes; si një luan, ai i thyen tërë kockat e mia; me kalimin nga dita në natë do t'i japësh fund jetës sime. Krakëllija si një lejlek apo një dallëndyshe, rënkoja si një pëllumbeshë; sytë e mi ishin të lodhur, duke shikuar lart. O Zot, jam i shtypur; bëhu ti garanti im. Çfarë të them? Ai më ka folur dhe ai vetë e ka bërë këtë gjë. Unë do të eci ngadalë gjatë tërë viteve të mia, në hidhërimin e shpirtit tim. O Zot, me këto gjëra ne jetojmë, dhe në të gjitha këto gjëra qëndron jeta e frymës sime; prandaj më shëro dhe më kthe jetën! Ja, është për paqen time që kam provuar hidhërim të madh; por në dashurinë tënde ke çliruar shpirtin tim nga gropa e korruptimit, sepse i ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia. Sepse Sheoli nuk mund të të lëvdojë, vdekja nuk mund të të kremtojë; ata që zbresin në gropë nuk mund të shpresojnë më në besnikërinë tënde. I gjalli, i gjalli është ai që të lëvdon, siç po bëj unë sot; ati do t'u njoftojë bijve besnikërinë tënde. Zoti do të më shpëtojë; dhe ne do të këndojmë kantikët e mi me vegla me tela tërë ditët e jetës sonë në shtëpinë e Zotit". Por Isaia kishte thënë: "Merrni një jaki fiqsh, vendoseni mbi ulcerë dhe i sëmuri do të shërohet". Ezekia kishte thënë: "Cila është shenja me të cilën do të ngjitem në shtëpinë e Zotit"?