Po si re prej qiellit, o dritësjellës,
ti, o biri i agimit?
U përplase përdhe edhe ti,
ti që mbi kombet ngadhënjeje.
Në zemër ti thoshe: «Në qiell kam për t'u ngjitur,
fronin mbi yjet e Perëndisë do ta ngre.
Do të ulem mbi malin e tubimit,
atje në skaj të veriut.
Do të ngjitem përsipër reve,
do të bëhem si i Tejlarti».
Por, ja që je plandosur në skëterrë,
në skajin më të thellë të gropës.
Kush të sheh, sytë t'i ngul,
me vëmendje të vështron:
«A nuk është ky ai që trandte tokën,
që i bënte mbretëritë të dridheshin?
Ai që botën shkretëtirë e bëri,
që qytetet ia rrafshoi
e të burgosurit kurrë nuk i liroi?».
Tërë mbretërit e kombeve,
të gjithë prehen me lavdi,
secili në varrin e vet.
Por ty të kanë flakur jashtë varrit,
si atë degën e kalbur,
i mbështjellë me të therurit,
me të shpuarit nga shpata,
të hedhur mbi pllakat e varrit,
si kufomë shkelur me këmbë.
Ti nuk do të varrosesh si ata,
se vendin tënd e ke shkretuar,
e popullin tënd e ke shfarosur.
Fara e keqbërësve
nuk do të përmendet më kurrë.
Bëni gati shfarosjen për bijtë e tij,
për paudhësinë e etërve të tyre,
që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën,
që të mos mbushin më faqen e dheut.