Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 1:1-20

Isaia 1:1-20 AL1

Vegimi, që Isaia, biri i Amosit, pa për Judën dhe për Jerusalemin në ditët e Uziahut, Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës. Dëgjoni, o qiej, mba vesh, o tokë, se po flet ZOTI: fëmijët i mëkova e i rrita, por ata u ngritën kundër meje. Kau e njeh të zotin e gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk di asgjë, populli im nuk kupton. Mjerë kombi mëkatar, populli i ngarkuar me faje, fara e keqbërësve, fëmijët e shthurur! Kanë braktisur ZOTIN, kanë përçmuar të shenjtin e Izraelit, shpinën i kanë kthyer. Përse doni t'ju godas edhe më? Përse vazhdoni të ngrini krye? Çdo kokë dergjet e sëmurë, çdo zemër lëngon nga dhimbja. Nga shputa e këmbës deri te koka nuk ka përbrenda asgjë të shëndetshme, veç blana e vurrata, plagë të hapura, që s'janë pastruar e s'janë lidhur, as nuk janë zbutur me vaj. Toka juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë shkrumbuar, arat jua hanë të huajt sy për sy, djerrinë e shkretuar prej të huajve. Ka mbetur bija e Sionit, si kasollja në mes të vreshtit, si kolibja në arën me tranguj, porsi qyteti i rrethuar. Sikur ZOTI i ushtrive të mos na kishte lënë një tepricë të vogël, si Sodoma do të ishim, Gomorrës do t'i përngjanim. Dëgjojeni fjalën e ZOTIT, o prijës të Sodomës! Vërini vesh ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës! Ç'më duhen flitë tuaja të panumërta? Thotë ZOTI: jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh e me dhjamë bagëtish të majme. Gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua më. Kur vini të paraqiteni para meje, kush u ka kërkuar të endeni nëpër tremet e mia? Mos sillni më fli të kota, temjanin e kam neveri, hënat e reja, të shtunat e të kremtet, kuvendet e paudhësitë nuk i përtyp dot. Hënat e reja e të kremtet tuaja i urrej me gjithë shpirt, më janë bërë barrë e nuk i duroj dot. Kur i shtrini duart drejt meje, unë i largoj sytë prej jush, edhe kur luteni gjatë e gjatë, as që ju dëgjoj, se duart i keni tërë gjak. Lahuni, pastrohuni, hiqmani sysh ligësinë e veprave tuaja, reshtni së bëri të keqen! Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, jepini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e të vesë. Ejani, pra, të pleqërojmë, thotë ZOTI. Edhe po të jenë mëkatet tuaja flakë të kuqe, do të bëhen të bardha si dëbora, edhe po të jetë të kuqe si purpuri, do të bëhen porsi leshi. Nëse doni të më dëgjoni, do të hani të mirat e tokës, por nëse nuk pranoni e krye ngrini, do t'ju përpijë shpata. Kështu ka thënë goja e ZOTIT.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë