Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 1:1-20

Isaia 1:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Vegimi, që Isaia, biri i Amosit, pa për Judën dhe për Jerusalemin në ditët e Uziahut, Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës. Dëgjoni, o qiej, mba vesh, o tokë, se po flet ZOTI: fëmijët i mëkova e i rrita, por ata u ngritën kundër meje. Kau e njeh të zotin e gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk di asgjë, populli im nuk kupton. Mjerë kombi mëkatar, populli i ngarkuar me faje, fara e keqbërësve, fëmijët e shthurur! Kanë braktisur ZOTIN, kanë përçmuar të shenjtin e Izraelit, shpinën i kanë kthyer. Përse doni t'ju godas edhe më? Përse vazhdoni të ngrini krye? Çdo kokë dergjet e sëmurë, çdo zemër lëngon nga dhimbja. Nga shputa e këmbës deri te koka nuk ka përbrenda asgjë të shëndetshme, veç blana e vurrata, plagë të hapura, që s'janë pastruar e s'janë lidhur, as nuk janë zbutur me vaj. Toka juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë shkrumbuar, arat jua hanë të huajt sy për sy, djerrinë e shkretuar prej të huajve. Ka mbetur bija e Sionit, si kasollja në mes të vreshtit, si kolibja në arën me tranguj, porsi qyteti i rrethuar. Sikur ZOTI i ushtrive të mos na kishte lënë një tepricë të vogël, si Sodoma do të ishim, Gomorrës do t'i përngjanim. Dëgjojeni fjalën e ZOTIT, o prijës të Sodomës! Vërini vesh ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës! Ç'më duhen flitë tuaja të panumërta? Thotë ZOTI: jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh e me dhjamë bagëtish të majme. Gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua më. Kur vini të paraqiteni para meje, kush u ka kërkuar të endeni nëpër tremet e mia? Mos sillni më fli të kota, temjanin e kam neveri, hënat e reja, të shtunat e të kremtet, kuvendet e paudhësitë nuk i përtyp dot. Hënat e reja e të kremtet tuaja i urrej me gjithë shpirt, më janë bërë barrë e nuk i duroj dot. Kur i shtrini duart drejt meje, unë i largoj sytë prej jush, edhe kur luteni gjatë e gjatë, as që ju dëgjoj, se duart i keni tërë gjak. Lahuni, pastrohuni, hiqmani sysh ligësinë e veprave tuaja, reshtni së bëri të keqen! Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, jepini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e të vesë. Ejani, pra, të pleqërojmë, thotë ZOTI. Edhe po të jenë mëkatet tuaja flakë të kuqe, do të bëhen të bardha si dëbora, edhe po të jetë të kuqe si purpuri, do të bëhen porsi leshi. Nëse doni të më dëgjoni, do të hani të mirat e tokës, por nëse nuk pranoni e krye ngrini, do t'ju përpijë shpata. Kështu ka thënë goja e ZOTIT.

Isaia 1:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës; Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: "Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje. Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend". Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të çoroditur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të Shenjtin e Izraelit, kanë devijuar dhe janë kthyer prapa. Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër. Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon. Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë; vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura, që nuk janë as pastruar, as lidhur as qetësuar me vaj. Vendi juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë djegur nga zjarri, tokën tuaj e përpijnë të huajt para syve tuaj; është si një shkretim sikur ta kishin shkatërruar të huajt. Kështu bija e Sionit ka mbetur si një karakollë në një vresht, si një kasolle në një arë me shalqi, si një qytet i ngujuar. Në qoftë se Zoti i ushtrive nuk do të na kishte lënë një mbetje të vogël, do të ishim si Sodoma, do t'i ngjisnim Gomorrës. Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, vërini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës! "Ç'më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga holokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej. Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia? Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t'i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta. Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar. Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak. Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq. Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve. Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi. Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit; por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t'ju përpijë shpata", sepse goja e Zotit ka folur.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë