Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hosea 9

9
Dënimi i Izraelit
1«Mos u gëzo, o Izrael,
mos galdo si popujt e tjerë,
se kurvërove kundër Perëndisë tënd,
deshe pagën e lavires
në çdo lëmë drithi.
2Lëmi e torku s'do të të ushqejë,
mushti do të të zhgënjejë.
3S'do të banojnë në tokën e Zotit,
Efraimi do të kthehet në Egjipt,
ushqime të papastra do të hanë në Asiri.
4Fli stërpikjeje s'do t'i kushtojnë më Zotit,
flijimet atij nuk do t'i pëlqejnë.
Si buka e hidhur do të jetë flija për ta,
i papastër do të jetë kushdo që e ha.
Buka do t'u duhet për të shuar urinë,
në shtëpinë e Zotit ajo s'do të mbërrijë.
5Çfarë do të bëni në ditën e kremte,
në ditën e festës së Zotit?
6E në ikshin prej shkatërrimit,
Egjipti do t'i presë,
Memfisi në dhe do t'i shtjerë.
Argjendin e çmuar, hithrat do t'ua trashëgojnë,
tendat, ferrat do t'ua mbulojnë.
7Le ta dijë Izraeli se
erdhën ditët e ndëshkimit,
erdhën ditët e shpagimit.
Profeti është i marrë,
i frymëzuari i pamend,
për shkak të fajeve të mëdha
e armiqësive të shumta.
8Rojë për Efraimin është profeti krah Perëndisë tim,
kurth gjahu ai u bë për udhët e tij#9.8 ose: Efraimi ruan Perëndinë tim, profetit i vë kurth gjahu në udhët e tij,
mëri ka në shtëpinë e Perëndisë së tij.
9U shthurën keq si në ditët e Gibeahut,
por ai do t'i kujtojë fajet e tyre,
mëkatet e tyre do t'i ndëshkojë.
10Porsi rrushin në shkretëtirë
e gjeta Izraelin.
Porsi fiqtë e parë të stinës
i pashë etërit e tu.
Por, ata shkuan në Baalpeor
e u dhanë pas turpit.
U bënë të urryer,
siç ishin ato që dëshironin.
11Si shpendi që fluturon tej
do t'i ikë Efraimit lavdia.
Do të mbetet
pa lindje, shtatzëni e ngjizje.
12E në i rritshin fëmijët e tyre,
do t'i lë pa fëmijë, pa njeri.
Mjerë ata
kur unë prej tyre të largohem.
13Efraim, kur të pashë
ishe si palma e mbjellë livadhit,
por bijtë e vet Efraimi
do t'i çojë në thertore.
14Jepu, o Zot,
çfarë ke për t'u dhënë!
Jepu barkun dështak
e gjinjtë e shteruar.
15Tërë paudhësitë e tyre nisën në Gilgal,
atje fillova t'i urreja.
Për faj të veprave të tyre të liga,
do t'i zboj nga shtëpia ime.
Më nuk do t'i dua,
kryeneçë janë gjithë prijësit e tyre.
16Efraimi u godit,
rrënjët iu thanë krejt,
fryt nuk do të japë më.
E në lindshin,
do t'ua vras fëmijët e dashur.
17Perëndia im i mohoi,
se atë nuk e dëgjuan,
ndaj do të enden nëpër kombe».

Aktualisht i përzgjedhur:

Hosea 9: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr