Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 9:13-22

Hebrenjve 9:13-22 AL1

Sepse, nëse gjaku i cjepve e i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore, aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t'i shërbejmë Perëndisë së gjallë. Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë. Atje ku ka testament, duhet medoemos të vërtetohet edhe vdekja e atij që e la testamentin. Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes dhe nuk ka kurrfarë fuqie për sa kohë jeton ai që e lë. Prandaj edhe besëlidhja e parë nuk ishte themeluar pa gjak. Kur i shpalli gjithë popullit urdhërimet e ligjit, Moisiu mori gjak viçash e cjepsh dhe e përzjeu me ujë. Pastaj mori lesh të kuq dhe hisop e me to spërkati librin dhe gjithë popullin duke thënë: ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju. Po ashtu ai spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbesës së adhurimit. Sipas ligjit, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe pa u derdhur gjak nuk ka ndjesë mëkatesh.