Hebrenjve 9:13-22
Hebrenjve 9:13-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sepse, nëse gjaku i cjepve e i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore, aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t'i shërbejmë Perëndisë së gjallë. Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë. Atje ku ka testament, duhet medoemos të vërtetohet edhe vdekja e atij që e la testamentin. Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes dhe nuk ka kurrfarë fuqie për sa kohë jeton ai që e lë. Prandaj edhe besëlidhja e parë nuk ishte themeluar pa gjak. Kur i shpalli gjithë popullit urdhërimet e ligjit, Moisiu mori gjak viçash e cjepsh dhe e përzjeu me ujë. Pastaj mori lesh të kuq dhe hisop e me to spërkati librin dhe gjithë popullin duke thënë: ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju. Po ashtu ai spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbesës së adhurimit. Sipas ligjit, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe pa u derdhur gjak nuk ka ndjesë mëkatesh.
Hebrenjve 9:13-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish, aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t'i shërbyer Perëndisë së gjallë! Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar. Sepse atje ku ka një testament do të ketë me doemos edhe vdekjen e trashëgimlënësit. Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes, sepse nuk ka kurrfarë fuqie derisa trashëgimlënësi ende rron. Prandaj edhe Besëlidhja e parë nuk u vërtetua pa gjak. Sepse kur iu shpallën të gjitha urdhërimet sipas ligjit gjithë popullit nga Moisiu, ky mori gjakun e viçave, të cjepve, bashkë me ujë, lesh të kuq dhe hisop, e spërkati librin dhe gjithë popullin, duke thënë: ''Ky është gjaku i Besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju''. Gjithashtu ai me atë gjak spërkati edhe tabernakullin dhe të gjitha orenditë e shërbesës hyjnore. Dhe sipas ligjit, gati të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.