Hebrenjve 6
6
1Prandaj, duke lënë mënjanë njohuritë fillestare për Krishtin, le të shkojmë drejt përsosjes. Le të mos merremi më me gjërat fillestare: me pendimin për veprat e vdekura, me besimin në Perëndinë, 2mësimin për pagëzimin, vënien e duarve, ngjalljen e të vdekurve dhe gjykimin e përjetshëm. 3Edhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.
4Është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë, që shijuan dhuratën qiellore, që morën Shpirtin e shenjtë, 5që shijuan bukurinë e fjalës së Perëndisë dhe mrekullitë e jetës së ardhshme 6dhe që pastaj ranë, të rilindin me anë të pendimit, kur ata vetë e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë botërisht.
7Kur toka pi shiun që bie shpesh mbi të dhe prodhon bimë të dobishme për ata që e punojnë, ajo merr bekim nga Perëndia. 8Ndërsa, kur prodhon ferra e murriza, është e padobishme dhe po i afrohet mallkimi. Fundi i saj do të jetë djegia në zjarr.
9Por, ndonëse flasim kështu, o fort të dashur, jemi të bindur se ju keni gjëra më të mira, që mbartin shpëtim. 10Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që keni treguar në emër të tij me shërbimin që u keni bërë e vazhdoni t'u bëni të shenjtëve. 11Dëshirojmë që secili prej jush të tregojë po atë zell deri në fund, që të përmbushet shpresa juaj. 12Mos u bëni përtacë, por bëhuni shkërbim i atyre që, nëpërmjet besimit e durimit, trashëguan premtimin e Perëndisë.
Premtimi i sigurt
13Kur Perëndia i bëri premtimin Abrahamit, ngaqë nuk kishte ndonjë më të madh për t'u betuar, u betua për veten e tij 14e tha: të premtoj se do të të bekoj e do të të jap shumë pasardhës. 15Kështu, Abrahami priti me durim dhe fitoi premtimin. 16Njerëzit betohen për dikë që është më i madh se ata dhe betimi është siguria që japin për të mbyllur çdo mosmarrëveshje. 17Kështu edhe Perëndia përdori betimin, duke dashur t'i sigurojë edhe më shumë trashëgimtarët e premtimit për palëkundshmërinë e vendimit të tij.
18Pra, ka dy gjëra të pandryshueshme, për të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë. Nëpërmjet tyre, ne që kemi kërkuar strehë tek ai, marrim guxim të madh për t'u mbështetur në shpresën që kemi përpara. 19Kjo shpresë është për ne spiranca e jetës. Ajo është e sigurt dhe e patundur dhe na çon deri në pjesën e brendshme të altarit, pas velit. 20Atje ka hyrë përpara nesh dhe për ne Jezui që u bë kryeprift në amshim sipas urdhrit të Melkisedekut.
Aktualisht i përzgjedhur:
Hebrenjve 6: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020