Hagai 2
2
Lavdia e tempullit
1Në ditën e njëzet e një të muajit të shtatë fjala e Zotit erdhi me anë të profetit Haga: 2«Fol me Zorobabelin, birin e Shealtielit, qeveritarin e Judës, me kryepriftin Jozueh, birin e Jehocadakut e me tepricën e popullit: 3“Kush prej jush e ka parë lavdinë e mëparshme të kësaj shtëpie? A e shihni në ç'gjendje është tani? A s'ju duket sikurse të mos ishte fare? 4Por tani merr zemër, o Zorobabel, kumton Zoti; merr zemër, o kryeprift Jozueh, biri i Jehocadakut; merr zemër, o tërë populli i tokës, kumton Zoti, dhe vijuni punës, sepse unë jam me ju, kumton Zoti i ushtrive, 5siç ju premtova kur dolët nga Egjipti. Shpirti im është mes jush, mos kini frikë! 6Kështu thotë Zoti i ushtrive: pas pak do ta trondis edhe një herë qiellin e tokën, detin e dheun e thatë. 7Do t'i trondis mbarë kombet dhe mbarë visaret e tyre do të mbërrijnë këtu. Do ta mbush këtë shtëpi me lavdi, thotë Zoti i ushtrive. 8Mua më përket argjendi e ari, kumton Zoti i ushtrive. 9Lavdia e kësaj shtëpie do të jetë edhe më e lavdishme se ajo e së mëparshmes, thotë Zoti i ushtrive. Në këtë vend do të vendos paqe, kumton Zoti i ushtrive”».
Qortime e bekime
10Në ditën e njëzet e katërt të muajit të nëntë të vitit të dytë të Darit, erdhi fjala e Zotit me anë të profetit Haga: 11«Kështu thotë Zoti i ushtrive: pyeti priftërinjtë se ç'thotë ligji për këtë: 12nëse dikush mbart me cepin e rrobës mish të shenjtëruar e pastaj rroba prek bukën, gjellën, verën, vajin dhe tërë ushqimet, a do të bëhen edhe këto të shenjta?». Priftërinjtë u përgjigjën: «Jo!». 13Hagai u përgjigj: «Po nëse i prek një i papastër, a do të bëhen të gjitha këto të papastra?». Priftërinjtë u përgjigjën: «Po, do të bëhen të papastra». 14Atëherë Hagai tha: «Kështu është edhe ky popull e ky komb para meje, kumton Zoti. E tillë është çdo vepër e duarve të tyre dhe çfarëdo që kushtojnë këtu është e papastër. 15Prandaj, mendohuni mirë që sot e tutje. Para se të vihej ndonjë gur në tempullin e Zotit, 16lëmi që prisje të kishte njëzet masa grurë nxirrte dhjetë dhe torku që prisje të prodhonte pesëdhjetë masa verë, nxirrte vetëm njëzet. 17Ju godita me urth, vrug e breshër, ju godita çdo vepër të duarve tuaja, por ju nuk u kthyet tek unë, kumton Zoti. 18Mendohuni mirë që sot e tutje, që prej ditës së njëzetekatërt të muajit të nëntë, që prej ditës kur u hodhën themelet e tempullit të Zotit; mendohuni mirë! 19A ka mbetur ndonjë farë në grunar? As vreshti, as fiku, as shega e as ulliri nuk dhanë frute, por, që sot, do të të bekoj».
Zorobabeli
20Fjala e Zotit iu drejtua sërish Hagait në ditën e njëzetekatërt të muajit: 21«Thuaji Zorobabelit, qeveritarit të Judës: “Unë do ta trand qiellin e tokën. 22Do t'i përmbys fronet e mbretërive, do ta shkatërroj fuqinë e mbretërive të kombeve, do t'i rrëzoj karrocat e kalorësit e tyre. Ata do të bien prej shpatës së njëri-tjetrit. 23Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive, do të të marr, o Zorobabel, shërbëtori im, biri i Shealtielit, kumton Zoti, e do të të vë si një unazë, sepse ty të kam zgjedhur, kumton Zoti i ushtrive”».
Aktualisht i përzgjedhur:
Hagai 2: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020