Në ditën e parë të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar, fjala e ZOTIT iu drejtua, me anë të profetit Haga Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës dhe kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut: «Kështu thotë ZOTI i ushtrive: ky popull thotë se s'ka ardhur ende koha për të ndërtuar shtëpinë e ZOTIT». Fjala e ZOTIT erdhi me anë të profetit Haga:
«Paska ardhur koha që ju të banoni në shtëpi të mbuluara!
Ndërkohë kjo shtëpi mbetet e rrënuar!
Ndaj, kështu thotë ZOTI i ushtrive:
shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë!
Mbillni shumë, por korrni pak,
hani, por nuk ngiheni,
pini, por nuk ngopeni,
visheni, por askush s'ka ngrohtë
dhe mëditësit i shkon paga
në qese të shpuar.
Kështu thotë ZOTI i ushtrive:
shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë!
Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtoni shtëpinë,
që të kënaqem e të përlëvdohem, thotë ZOTI.
Deshët shumë, por ja që morët pak
e kur e sollët në shtëpi, ua prisha.
Përse? Kumton ZOTI i ushtrive.
Sepse shtëpia ime është e rrënuar,
ndërkohë secili ngutet për shtëpinë e vet.
Ndaj, qielli vesë nuk dha,
as toka frytin e vet.
Thirra thatësirën përmbi tokë e male,
përmbi drithë, verë e vaj,
përmbi çdo fryt që del prej dheut,
përmbi njerëz, kafshë e çdo mundi duarsh».
Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe kryeprifti Jozueh, biri i Jehocadakut, bashkë me tërë tepricën e popullit e dëgjuan zërin e ZOTIT, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Haga, që e kishte dërguar ZOTI, Perëndia i tyre. Populli e pati frikë ZOTIN.
Atëherë Hagai, lajmëtari i ZOTIT, i dha popullit lajmin e ZOTIT: «Unë jam me ju, kumton ZOTI». ZOTI e nxiti shpirtin e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës, shpirtin e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut dhe shpirtin e tërë tepricës së popullit. Ata erdhën e filluan punën për shtëpinë e ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së tyre, në ditën e njëzet të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar.