Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hagai 1:1-15

Hagai 1:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në ditën e parë të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar, fjala e ZOTIT iu drejtua, me anë të profetit Haga Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës dhe kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut: «Kështu thotë ZOTI i ushtrive: ky popull thotë se s'ka ardhur ende koha për të ndërtuar shtëpinë e ZOTIT». Fjala e ZOTIT erdhi me anë të profetit Haga: «Paska ardhur koha që ju të banoni në shtëpi të mbuluara! Ndërkohë kjo shtëpi mbetet e rrënuar! Ndaj, kështu thotë ZOTI i ushtrive: shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë! Mbillni shumë, por korrni pak, hani, por nuk ngiheni, pini, por nuk ngopeni, visheni, por askush s'ka ngrohtë dhe mëditësit i shkon paga në qese të shpuar. Kështu thotë ZOTI i ushtrive: shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë! Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtoni shtëpinë, që të kënaqem e të përlëvdohem, thotë ZOTI. Deshët shumë, por ja që morët pak e kur e sollët në shtëpi, ua prisha. Përse? Kumton ZOTI i ushtrive. Sepse shtëpia ime është e rrënuar, ndërkohë secili ngutet për shtëpinë e vet. Ndaj, qielli vesë nuk dha, as toka frytin e vet. Thirra thatësirën përmbi tokë e male, përmbi drithë, verë e vaj, përmbi çdo fryt që del prej dheut, përmbi njerëz, kafshë e çdo mundi duarsh». Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe kryeprifti Jozueh, biri i Jehocadakut, bashkë me tërë tepricën e popullit e dëgjuan zërin e ZOTIT, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Haga, që e kishte dërguar ZOTI, Perëndia i tyre. Populli e pati frikë ZOTIN. Atëherë Hagai, lajmëtari i ZOTIT, i dha popullit lajmin e ZOTIT: «Unë jam me ju, kumton ZOTI». ZOTI e nxiti shpirtin e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës, shpirtin e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut dhe shpirtin e tërë tepricës së popullit. Ata erdhën e filluan punën për shtëpinë e ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së tyre, në ditën e njëzet të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar.

Hagai 1:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në vitin e dytë të mbretit Dar, në muajin e gjashtë, ditën e parë të muajit, fjala e Zotit iu drejtua me anë të profetit Hagai, Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës, dhe Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ky popull thotë: "Nuk ka ardhur ende koha, koha kur duhet të rindërtohet shtëpia e Zotit"". Atëherë fjala e Zotit iu drejtua atyre me anë të profetit Hagai, duke thënë: "A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar?". Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: "Mendohuni mirë për sjelljen tuaj! Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani por jo aq sa të ngopeni; ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj; ju visheni, por askush nuk rri ngrohtë; ai që fiton një mëditje, e fiton për ta shtënë në një qese të shpuar". Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mendohuni mirë për sjelljen tuaj! Ngjituni ndër male, sillni lëndën dhe ndërtoni tempullin, që të mund të gëzohem për të dhe kështu të jem i përlëvduar", thotë Zoti. Ju prisnit shumë, por në realitet keni pasur pak; pastaj, kur e keni çuar në shtëpi, unë e shpërndava. Përse?", thotë Zoti i ushtrive, "për shkak të tempullit tim që është i rrënuar, ndërsa secili prej jush rend në shtëpinë e vet. Për këtë arsye qielli e ka ndalur vesën sipër jush dhe toka e ka mbajtur prodhimin e vet. Dhe unë e thirra thatësirën mbi vendin, mbi malet, mbi grurin, mbi mushtin, mbi vajin dhe mbi gjithçka që prodhon toka, mbi njerëzit, mbi bagëtinë dhe mbi gjithë punën e duarve tuaja". Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe Jozueu, biri i Jehotsadakut, kryeprift, dhe gjithë pjesa tjetër e popullit e dëgjuan zërin e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Hagai, sepse Zoti, Atëherë Hagai, lajmëtari i Zotit, i shpalli popullit mesazhin e Zotit, duke thënë: "Unë jam me ju, thotë Zoti". Kështu Zoti e zgjoi frymën e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës dhe frymën e Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift dhe frymën e gjithë pjesës tjetër të popullit; atëherë ata erdhën dhe filluan punën për shtëpinë e Zotit të ushtrive, Perëndisë së tyre, në ditën e njëzetekatërt të muajit të gjashtë, në vitin e dytë të mbretit Dar.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë