Ja, i padrejti në shpirt, do të meket,
por i drejti do të jetojë
prej besimit të vet”.
Vërtet, pasuria është mashtruese,
krenarin e bën të mos reshtë.
Grykës është ai porsi skëterra,
s'ngihet si mortja vetë.
Për vete mbledh tërë kombet,
grumbullon popujt krejt.
Por, tërë këta,
do të hedhin thumba ndaj tij,
me gjëegjëza në lojë do ta vënë
e do të thonë:
“Mjerë ai që shton çka s'është e tija,
që pasurohet me pengjet që merr!
Por, për sa kohë?”.
A s'do të ngrihen befas,
ata që kamatë të paguajnë?
A s'do të zgjohen,
ata që të kallin datën?
Preja e tyre do të bëhesh.
Shumë kombe bastise,
ndaj, gjithë sa mbetën, ty do të të plaçkisin,
për shkak të gjakderdhjes e dhunës në vend,
të qyteteve e banorëve të tyre.
Mjerë ai që sjell fitime të mbrapshta në shtëpi
e folenë e vet e ngre lart,
që kthetrave të fatkeqësisë t'u shpëtojë!
Shtëpinë me turp e mbulove,
vetë e pësove,
se shumë popuj there.
Prej murit gurët do të thërrasin,
e trarët do të përgjigjen prej pullazit.
Mjerë ai që me gjak ndërton qytete
e me padrejtësi ngre vendbanime!
Ja, prej ZOTIT të ushtrive,
a nuk shkojnë në zjarr mundimet e popujve
e robtohen më kot kombet?
Plot do të jetë toka
me njohurinë e lavdisë së ZOTIT,
siç mbushin ujërat detin.
Mjerë ai që të afërtit i jep të pijë,
e zbraz vrerin e vet
dhe madje e deh,
që ta shohë lakuriq!
U dende
me turp e jo me nder.
Pi edhe ti,
parrethprerjen trego.
Kupa e të djathtës së ZOTIT po të vërtitet,
turpi nderin do të ta mbulojë.
Do të të kaplojë dhuna që hoqi Libani,
kërdia e kafshëve do të të tmerrojë.
Për shkak të gjakderdhjes e dhunës në vend,
të qyteteve e banorëve të tyre.
Ç'dobi ka idhulli,
kur trajtën ia jep gdhendësi,
copa e metalit që mashtrim përhap?
Ç'dobi ka idhulli,
kur përfytyrimit të vet mjeshtri i beson?
Idhujt që bëri janë memecë!
Mjerë kush i thotë drurit: “Zgjohu!”,
gurit të pagojë: “Ngrihu!”.
Pse, idhulli do të të mësojë?!
Ja, i veshur është me ar e argjend,
por nuk ka frymë jete në të.
Por, ZOTI është në tempullin e tij të shenjtë,
mbarë toka para tij të heshtë».