Habakuku 2:4-20
Habakuku 2:4-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ja, i padrejti në shpirt, do të meket, por i drejti do të jetojë prej besimit të vet”. Vërtet, pasuria është mashtruese, krenarin e bën të mos reshtë. Grykës është ai porsi skëterra, s'ngihet si mortja vetë. Për vete mbledh tërë kombet, grumbullon popujt krejt. Por, tërë këta, do të hedhin thumba ndaj tij, me gjëegjëza në lojë do ta vënë e do të thonë: “Mjerë ai që shton çka s'është e tija, që pasurohet me pengjet që merr! Por, për sa kohë?”. A s'do të ngrihen befas, ata që kamatë të paguajnë? A s'do të zgjohen, ata që të kallin datën? Preja e tyre do të bëhesh. Shumë kombe bastise, ndaj, gjithë sa mbetën, ty do të të plaçkisin, për shkak të gjakderdhjes e dhunës në vend, të qyteteve e banorëve të tyre. Mjerë ai që sjell fitime të mbrapshta në shtëpi e folenë e vet e ngre lart, që kthetrave të fatkeqësisë t'u shpëtojë! Shtëpinë me turp e mbulove, vetë e pësove, se shumë popuj there. Prej murit gurët do të thërrasin, e trarët do të përgjigjen prej pullazit. Mjerë ai që me gjak ndërton qytete e me padrejtësi ngre vendbanime! Ja, prej ZOTIT të ushtrive, a nuk shkojnë në zjarr mundimet e popujve e robtohen më kot kombet? Plot do të jetë toka me njohurinë e lavdisë së ZOTIT, siç mbushin ujërat detin. Mjerë ai që të afërtit i jep të pijë, e zbraz vrerin e vet dhe madje e deh, që ta shohë lakuriq! U dende me turp e jo me nder. Pi edhe ti, parrethprerjen trego. Kupa e të djathtës së ZOTIT po të vërtitet, turpi nderin do të ta mbulojë. Do të të kaplojë dhuna që hoqi Libani, kërdia e kafshëve do të të tmerrojë. Për shkak të gjakderdhjes e dhunës në vend, të qyteteve e banorëve të tyre. Ç'dobi ka idhulli, kur trajtën ia jep gdhendësi, copa e metalit që mashtrim përhap? Ç'dobi ka idhulli, kur përfytyrimit të vet mjeshtri i beson? Idhujt që bëri janë memecë! Mjerë kush i thotë drurit: “Zgjohu!”, gurit të pagojë: “Ngrihu!”. Pse, idhulli do të të mësojë?! Ja, i veshur është me ar e argjend, por nuk ka frymë jete në të. Por, ZOTI është në tempullin e tij të shenjtë, mbarë toka para tij të heshtë».
Habakuku 2:4-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ja, shpirti i është krenuar, nuk është i drejtë, por i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij. Përveç kësaj vera e tradhton njeriun krenar dhe kështu ai nuk rri në shtëpi. Ai, pra, e shton lakminë e tij si Sheoli dhe është si vdekja, sepse kurrë nuk është i kënaqur, por mbledh rreth vetes tërë kombet dhe tërë popujt. Tërë këta a nuk do të fillojnë vallë të përdorin një proverb kundër tij dhe një gjëzë tallëse kundër tij? Ata do të thonë: "Mjerë ai që grumbullon gjëra që nuk janë të tijat (por deri kur?) dhe kush ngarkohet me pengje!". A nuk do të ngrihen vallë papritur kreditorët e tu dhe nuk do të zgjohen torturuesit e tu? Dhe ti do të bëhesh preja e tyre. Duke qenë se ti ke plaçkitur shumë kombe, tërë kusuri i popujve do të të plaçkitë ty për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës që i është bërë vendit, qyteteve dhe tërë banorëve të tij. Mjerë ai që është i pangopur për fitime të mbrapshta për shtëpinë e tij, për të vendosur folenë e tij lart dhe për t'i shpëtuar fuqisë së fatkeqësisë. Ti ke programuar turpin e shtëpisë sate, duke shfarosur shumë popuj, dhe ke mëkatuar kundër vetvetes. Sepse guri do të këlthasë nga muri dhe trari do të përgjigjet nga dyshemeja. Mjerë ai që ndërton një qytet me gjak dhe themelon një qytet me paudhësi! Ja, a nuk vjen vallë nga Zoti i ushtrive që popujt të lodhen për zjarrin dhe kombet të lodhen për asgjë? Sepse dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë të Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin. Mjerë ai që i jep të pijë të afërmit të tij, duke i dhënë shishen e vet, dhe e deh për të parë lakuriqësinë e tij! Ti do të ngopesh me turp dhe jo me lavdi; pi edhe ti dhe parrethprerja jote le të zbulohet lakuriq. Kupa në të djathtë të Zotit do të drejtohet nga ti dhe poshtërsia do të mbulojë lavdinë tënde. Sepse dhuna e ushtruar në Liban do të të mbulojë, dhe shkatërrimi i kafshëve do të të mbushë me tmerr, për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës së ushtruar mbi vendin, qytetet dhe tërë banorët e tij. Çfarë dobie sjell figura e gdhendur, kur gdhendësi që e ka bërë, apo një figurë e shkrirë që të mëson gënjeshtrën, që punuesi i saj të ketë besim te puna e tij, duke fabrikuar idhuj të heshtur? Mjerë ai që i thotë drurit: "Zgjohu!", apo gurit të heshtur: "Çohu!". A mund t'ju mësojë ai diçka? Ja, është i mbuluar me ar dhe me argjend, por në të nuk ka asnjë frymë jete. Por Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij.