Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 45

45
Jozefi u dëftehet vëllezërve
1Jozefi nuk e përmbajti dot veten para gjithë të pranishmëve e thirri: «Nxirrini të gjithë përjashta!». Kështu, askush nuk ishte me të kur iu dëftua vëllezërve të vet, 2por Jozefi qau me të madhe, saqë e morën vesh egjiptianët dhe shtëpia e faraonit. 3Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: «Jam Jozefi! A është ende gjallë im atë?». Por vëllezërit, të tmerruar prej Jozefit, nuk ishin në gjendje t'i përgjigjeshin.
4Ai u tha: «Afrohuni!» dhe ata u afruan. Pastaj u tha: «Jam Jozefi, vëllai që shitët në Egjipt! 5Mos u shqetësoni e mos u zemëroni me veten tuaj që më shitët këtu, se Perëndia më dërgoi para jush për t'ju shpëtuar. 6Sepse ky është viti i dytë i zisë mbi tokë, por kanë mbetur edhe pesë vjet të tjerë gjatë të cilëve as nuk do të lërohet, e as nuk do të korret. 7Perëndia më dërgoi para jush për t'ju mbajtur gjallë mbi tokë e për të shpëtuar shumë prej jush#45.7 ose: nëpërmjet një shpëtimi të madh. 8Prandaj nuk ishit ju që më dërguat këtu, por Perëndia. Ai më bëri atë për faraonit, zot të gjithë shtëpisë së tij e prijës mbi mbarë tokën e Egjiptit. 9Nxitoni e shkoni tek im atë e i thoni: “Kështu thotë Jozefi, yt bir: Perëndia më bëri zot mbi mbarë Egjiptin. Eja tek unë e mos vono! 10Do të banosh në tokën e Goshenit e do të jesh pranë meje ti, bijtë e nipërit e tu, dhentë e qetë e tua e gjithçka ke. 11Atje unë do të kujdesem për ty, që ti, bijtë e tu e gjithçka ke të mos mbaroni, sepse kanë mbetur edhe pesë vjet zi buke”.
12Me sytë tuaj po e shihni bashkë me Benjaminin, vëllain tim, se unë që po ju flas, jam Jozefi. 13Tregojini tim eti për gjithë lavdinë që gëzoj në Egjipt e për gjithçka që patë. Nxitoni e ma sillni tim atë këtu». 14Pastaj e përqafoi Benjaminin, të vëllanë, e qau. Edhe Benjamini qau mbi supin e tij. 15I puthi të gjithë vëllezërit duke qarë dhe pastaj ata filluan t'i flisnin.
16Lajmi që kishin ardhur vëllezërit e Jozefit u mor vesh në shtëpinë e faraonit. Kjo gjë i pëlqeu faraonit dhe shërbëtorëve të tij. 17Atëherë faraoni i tha Jozefit: «Thuaju vëllezërve të ngarkojnë kafshët e të shkojnë në tokën e Kanaanit. 18Pastaj të marrin me vete atin tuaj e familjet tuaja e të vijnë tek unë. Unë do t'ju jap vendin më të mirë të Egjiptit e ju do të shijoni prodhimet më të mira të vendit#45.18 he. dhjamin e tokës.
19Urdhëroji të marrin me vete edhe qerre nga Egjipti për fëmijët e për gratë e tyre e ta sjellin atin tuaj e të vijnë këtu. 20Mos t'ju vijë keq për sendet që lënë mbrapa, se të mirat e gjithë Egjiptit do të jenë tuajat».
21Kështu bënë bijtë e Izraelit dhe Jozefi u dha qerre e ushqime për rrugë, sipas urdhrit të faraonit. 22Secilit u dha rroba për të veshur, ndërsa Benjaminit i dha treqind sikla argjendi e pesë palë rroba. 23Të atit i dërgoi dhjetë gomarë të ngarkuar me plot të mira nga Egjipti e dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë e ushqime që t'i kishte për rrugë. 24Pastaj i përcolli vëllezërit dhe kur po shkonin u tha: «Mos u grindni rrugës!».
25Ata u larguan nga Egjipti dhe arritën në tokën e Kanaanit, te Jakobi, ati i tyre. 26I treguan e i thanë: «Jozefi është ende gjallë! Ai është prijës mbi mbarë tokën e Egjiptit!». Por Jakobi u shtang se nuk u besonte. 27Atëherë ata i treguan gjithçka që u kishte thënë Jozefi dhe kur Jakobi pa qerret që kishte dërguar Jozefi, i erdhi shpirti në vend 28e tha: «Mjaft! Biri im, Jozefi, qenka ende gjallë! Do të shkoj ta shoh para se të vdes!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 45: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë