Adami fjeti me Evën, gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin, prandaj tha: «Me ndihmën e ZOTIT fitova një njeri!». Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari dhensh, ndërsa Kaini punonte tokën. Pas njëfarë kohe Kaini i kushtoi ZOTIT nga frytet e tokës. Edhe Abeli i kushtoi nga të parëlindurit e kopesë e nga dhjami i tyre. ZOTI e pa me pëlqim Abelin dhe kushtimin e tij, ndërsa Kainin dhe kushtimin e tij nuk e pa me pëlqim. Kaini u zemërua fort dhe i iku fytyra. ZOTI i tha Kainit: «Përse je zemëruar fort e të ka ikur fytyra? Nëse vepron mirë a nuk do të shihesh me pëlqim? Por, nëse nuk vepron mirë, mëkati të pret te dera, të dëshiron, por ti duhet ta sundosh».
Kaini foli me Abelin, të vëllanë; kur u gjendën në fushë Kaini u ngrit kundër Abelit, të vëllait, dhe e vrau. ZOTI i tha Kainit: «Ku është Abeli, vëllai yt?». Ai tha: «Nuk e di. Mos jam rojtari i vëllait tim?!». ZOTI i tha: «Çfarë bëre?! Dëgjo, po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd.
Dhe tani mallkuar qofsh nga toka që hapi gojën për të përpirë gjakun e vëllait tënd, derdhur prej dorës sate. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të t'i japë më prodhimet e saj. Ikanak e endacak do të jesh mbi tokë». Kaini i tha ZOTIT: «Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj. Ja, ti sot më dëbove nga faqja e dheut dhe do të jem i fshehur nga prania jote. Ikanak e endacak do të jem mbi tokë e kushdo që më gjen do të më vrasë». ZOTI i tha: «Jo, se kush vret Kainin, ndaj atij do të merret hak shtatëfish». Dhe ZOTI i vuri një shenjë Kainit, që kushdo që e gjen të mos e vrasë. Kaini u largua nga prania e ZOTIT dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit.
Kaini fjeti me gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Pastaj ndërtoi një qytet dhe e quajti Enok, sipas emrit të të birit. Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli e Metushaelit i lindi Lameku. Lameku mori dy gra. Njëra quhej Ada, ndërsa tjetra Zila. Ada lindi Jabalin. Ky ishte ati i atyre që banojnë në tenda e kullotin bagëtitë. Vëllai i tij quhej Jubal. Ky ishte ati i atyre që i bien qestes e fyellit. Zila lindi edhe Tubal Kainin. Ky ishte farkëtar i çdo vegle prej bronzi e hekuri. Motra e Tubal Kainit ishte Naama.
Lameku u tha grave të veta:
«Adë e Zilë, dëgjoni zërin tim.
O gratë e Lamekut, mbani vesh fjalën time:
për një plagë vrava një burrë,
për një të goditur, një djalosh.
Shtatëfish iu mor haku Kainit
e Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë».
Adami fjeti përsëri me gruan e tij. Ajo lindi djalë dhe e quajti Set. Prandaj tha: «Perëndia më dha një pasardhës tjetër në vend të Abelit që ma vrau Kaini». Edhe Setit i lindi djalë dhe e quajti Enosh.
Asokohe filloi të thirret emri i ZOTIT.