Zanafilla 4:1-26
Zanafilla 4:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Adami fjeti me Evën, gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Kainin, prandaj tha: «Me ndihmën e ZOTIT fitova një njeri!». Pastaj lindi Abelin, vëllanë e tij. Abeli ishte bari dhensh, ndërsa Kaini punonte tokën. Pas njëfarë kohe Kaini i kushtoi ZOTIT nga frytet e tokës. Edhe Abeli i kushtoi nga të parëlindurit e kopesë e nga dhjami i tyre. ZOTI e pa me pëlqim Abelin dhe kushtimin e tij, ndërsa Kainin dhe kushtimin e tij nuk e pa me pëlqim. Kaini u zemërua fort dhe i iku fytyra. ZOTI i tha Kainit: «Përse je zemëruar fort e të ka ikur fytyra? Nëse vepron mirë a nuk do të shihesh me pëlqim? Por, nëse nuk vepron mirë, mëkati të pret te dera, të dëshiron, por ti duhet ta sundosh». Kaini foli me Abelin, të vëllanë; kur u gjendën në fushë Kaini u ngrit kundër Abelit, të vëllait, dhe e vrau. ZOTI i tha Kainit: «Ku është Abeli, vëllai yt?». Ai tha: «Nuk e di. Mos jam rojtari i vëllait tim?!». ZOTI i tha: «Çfarë bëre?! Dëgjo, po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd. Dhe tani mallkuar qofsh nga toka që hapi gojën për të përpirë gjakun e vëllait tënd, derdhur prej dorës sate. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të t'i japë më prodhimet e saj. Ikanak e endacak do të jesh mbi tokë». Kaini i tha ZOTIT: «Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj. Ja, ti sot më dëbove nga faqja e dheut dhe do të jem i fshehur nga prania jote. Ikanak e endacak do të jem mbi tokë e kushdo që më gjen do të më vrasë». ZOTI i tha: «Jo, se kush vret Kainin, ndaj atij do të merret hak shtatëfish». Dhe ZOTI i vuri një shenjë Kainit, që kushdo që e gjen të mos e vrasë. Kaini u largua nga prania e ZOTIT dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit. Kaini fjeti me gruan e tij. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Pastaj ndërtoi një qytet dhe e quajti Enok, sipas emrit të të birit. Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli e Metushaelit i lindi Lameku. Lameku mori dy gra. Njëra quhej Ada, ndërsa tjetra Zila. Ada lindi Jabalin. Ky ishte ati i atyre që banojnë në tenda e kullotin bagëtitë. Vëllai i tij quhej Jubal. Ky ishte ati i atyre që i bien qestes e fyellit. Zila lindi edhe Tubal Kainin. Ky ishte farkëtar i çdo vegle prej bronzi e hekuri. Motra e Tubal Kainit ishte Naama. Lameku u tha grave të veta: «Adë e Zilë, dëgjoni zërin tim. O gratë e Lamekut, mbani vesh fjalën time: për një plagë vrava një burrë, për një të goditur, një djalosh. Shtatëfish iu mor haku Kainit e Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë». Adami fjeti përsëri me gruan e tij. Ajo lindi djalë dhe e quajti Set. Prandaj tha: «Perëndia më dha një pasardhës tjetër në vend të Abelit që ma vrau Kaini». Edhe Setit i lindi djalë dhe e quajti Enosh. Asokohe filloi të thirret emri i ZOTIT.
Zanafilla 4:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: "Fitova një burrë nga Zoti". Pastaj lindi Abeli, vëllai i tij. Dhe Abeli u bë bari kopesh, ndërsa Kaini u bë punonjës i tokës. Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar. Atëherë Zoti i tha Kainit: "Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh". Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau. Atëherë Zoti i tha Kainit: "Ku është vëllait yt Abeli?". Ai u përgjigj: "Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?". Zoti i tha: "Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka. Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë". Atëherë Kaini i tha Zotit; "Ndëshkimi im është tepër i madh aq sa unë nuk mund ta duroj. Ja, ti po më dëbon sot nga faqja e këtij dheu dhe do të fshihem nga fytyra jote; dhe do të bëhem endacak dhe ikanak nëpër botë dhe do të ndodhë që të më vrasë kushdo që do të më gjejë". Dhe Zoti i tha: "Prandaj, kushdo që vret Kainin, do të dënohet shtatë herë". Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente të mos e vriste. Atëherë Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në vendin e quajtur Nod, në lindje të Edenit. Dhe Kaini njohu të shoqen, e cila u ngjiz dhe lindi Enokun. Pastaj Kaini ndërtoi një qytet, të cilit i vuri emrin Enok, emri i të birit. Dhe Enokut i lindi Iradi; Iradit i lindi Mehujaeli; Mehujaelit i lindi Methusaeli dhe Mathusaelit i lindi Lameku. Dhe Lameku mori dy gra: emri i njërës ishte Ada dhe emri i tjetrës Cilah. Dhe Ada lindi Jabalin, që ishte babai i atyre që banojnë në çadra dhe merren me rritjen e bagëtisë. Por emri i të vëllait ishte Jubal, që ishte babai i gjithë atyre që i binin qestes dhe flautit. Cilah lindi edhe ajo Tubal-kainin, krijuesi i çfarëdo lloji veglash prej bronzi dhe hekuri, dhe motra e Tubal-kainit qe Naama. Pastaj Lameku u tha grave të tij: "Ada dhe Cilah, dëgjoni zërin tim; gra të Lamekut, u vini re fjalëve të mia! Po, unë vrava një njeri sepse më plagosi, dhe një të ri sepse më shkaktoi një irnim. Në rast se do t'i merret hak Kainit shtatë herë, Lamekut do t'i merret hak shtatëdhjetë herë shtatë". Pastaj Adami njohu përsëri gruan e tij, që lindi një djalë dhe e quajti Seth, sepse ajo tha: "Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, që u vra nga Kaini". Edhe Sethit i lindi një djalë, të cilin e quajti Enosh. Atëherë filluan të kërkojnë emrin e Zotit.