Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 29:14-35

Zanafilla 29:14-35 AL1

Atëherë Labani i tha: «Ti je me të vërtetë mishi e gjaku im». Jakobi qëndroi me të për një muaj. Pastaj Labani i tha Jakobit: «A thua pse jemi një fis, do të më shërbesh falas? Më thuaj sa e do pagën?». Labani kishte dy bija. E madhja quhej Lea, ndërsa e vogla, Rakela. Lea kishte sy të hijshëm, ndërsa Rakela ishte e bukur dhe e pashme. Jakobi e donte Rakelën e tha: «Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël». Labani tha: «Më mirë ta jap ty, sesa një njeriu tjetër. Rri me mua». Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, por, ngaqë e donte, iu dukën si pak ditë. Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Ma jep gruan time që të fle me të, se koha u plotësua». Labani mblodhi tërë vendasit e bëri dasmë. Por në mbrëmje mori Lean, të bijën, ia dha Jakobit e ky fjeti me të. Labani i dha Leas, të bijës, Zilfën, skllaven e tij. Në mëngjes, kur pa se ishte Lea, Jakobi i tha Labanit: «Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më mashtrove?». Labani i tha: «Në vendin tonë nuk është zakon të jepet e vogla para të madhes. Le të kalojë kjo javë dasme e pastaj do të të japim edhe tjetrën e ti do të më shërbesh edhe shtatë vjet të tjerë». Jakobi pranoi dhe pasi kaloi java e dasmës, Labani ia dha për grua Rakelën, të bijën. Ai i dha Rakelës, të bijës, Bilhën, skllaven e tij. Jakobi fjeti edhe me Rakelën dhe e deshi atë më shumë se Lean. Ai i shërbeu Labanit edhe për shtatë vite të tjera. ZOTI e pa se Lea u përbuz, prandaj i dha fëmijë, ndërsa Rakela ishte beronjë. Kështu, Lea mbeti shtatzënë e lindi një djalë. E quajti Ruben, sepse tha: «ZOTI e pa hidhërimin tim. Tani im shoq do të më dojë». Ajo mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «ZOTI dëgjoi që jam e përbuzur, prandaj ma dha edhe këtë». Prandaj e quajti Simeon. Përsëri mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë im shoq do të jetë i lidhur me mua, se i kam lindur tre djem». Prandaj u quajt Levi. Lea mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë do ta lavdëroj ZOTIN». Prandaj e quajti Judë. Pastaj nuk lindi më fëmijë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë