Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 29:14-30

Zanafilla 29:14-30 AL1

Atëherë Labani i tha: «Ti je me të vërtetë mishi e gjaku im». Jakobi qëndroi me të për një muaj. Pastaj Labani i tha Jakobit: «A thua pse jemi një fis, do të më shërbesh falas? Më thuaj sa e do pagën?». Labani kishte dy bija. E madhja quhej Lea, ndërsa e vogla, Rakela. Lea kishte sy të hijshëm, ndërsa Rakela ishte e bukur dhe e pashme. Jakobi e donte Rakelën e tha: «Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël». Labani tha: «Më mirë ta jap ty, sesa një njeriu tjetër. Rri me mua». Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, por, ngaqë e donte, iu dukën si pak ditë. Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Ma jep gruan time që të fle me të, se koha u plotësua». Labani mblodhi tërë vendasit e bëri dasmë. Por në mbrëmje mori Lean, të bijën, ia dha Jakobit e ky fjeti me të. Labani i dha Leas, të bijës, Zilfën, skllaven e tij. Në mëngjes, kur pa se ishte Lea, Jakobi i tha Labanit: «Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më mashtrove?». Labani i tha: «Në vendin tonë nuk është zakon të jepet e vogla para të madhes. Le të kalojë kjo javë dasme e pastaj do të të japim edhe tjetrën e ti do të më shërbesh edhe shtatë vjet të tjerë». Jakobi pranoi dhe pasi kaloi java e dasmës, Labani ia dha për grua Rakelën, të bijën. Ai i dha Rakelës, të bijës, Bilhën, skllaven e tij. Jakobi fjeti edhe me Rakelën dhe e deshi atë më shumë se Lean. Ai i shërbeu Labanit edhe për shtatë vite të tjera.