Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 29:1-30

Zanafilla 29:1-30 AL1

Atëherë Jakobi mori udhën e shkoi në tokën e bijve të lindjes. Në një fushë pa një pus e tre kope dhensh shtrirë aty pranë, sepse u jepnin për të pirë nga pusi. Një gur i madh mbulonte grykën e pusit. Kur mblidheshin të gjitha kopetë, barinjtë e lëviznin gurin prej grykës së pusit e u jepnin për të pirë. Pastaj e vinin gurin në vend, mbi grykën e pusit. Jakobi i pyeti: «Nga jeni, o vëllezër?». Ata u përgjigjën: «Nga Harani». Ai u tha: «A e njihni Labanin, birin e Nahorit?». Ata i thanë: «E njohim». Jakobi pyeti: «A është shëndoshë e mirë?». Ata iu përgjigjën: «Mirë është. Ja, Rakela, e bija, po vjen bashkë me dhentë». Pastaj ai u tha: «Është ende mesditë e nuk është koha kur mblidhen bagëtitë. Megjithatë, jepuni të pinë e çojini në kullotë». Por ata thanë: «Nuk mundemi. Do t'u japim dhenve të pinë vetëm kur të mblidhen të gjitha kopetë e guri të lëvizë prej grykës së pusit». Teksa fliste me ta, erdhi Rakela bashkë me dhentë e të atit. Ajo ishte bareshë. Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanit, ungjit të vet, bashkë me dhentë e tij, u afrua, lëvizi gurin nga gryka e pusit e u dha për të pirë dhenve të Labanit, ungjit të vet. Pastaj e puthi Rakelën e qau me zë të lartë. I tregoi se ishte nga fisi i të atit dhe biri i Rebekës. Atëherë ajo vrapoi e i tregoi të atit. Kur Labani mori vesh për Jakobin, djalin e së motrës, vrapoi ta takojë. E përqafoi, e puthi dhe e mori në shtëpi. Ai i tregoi Labanit gjithçka që kishte ngjarë. Atëherë Labani i tha: «Ti je me të vërtetë mishi e gjaku im». Jakobi qëndroi me të për një muaj. Pastaj Labani i tha Jakobit: «A thua pse jemi një fis, do të më shërbesh falas? Më thuaj sa e do pagën?». Labani kishte dy bija. E madhja quhej Lea, ndërsa e vogla, Rakela. Lea kishte sy të hijshëm, ndërsa Rakela ishte e bukur dhe e pashme. Jakobi e donte Rakelën e tha: «Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël». Labani tha: «Më mirë ta jap ty, sesa një njeriu tjetër. Rri me mua». Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, por, ngaqë e donte, iu dukën si pak ditë. Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Ma jep gruan time që të fle me të, se koha u plotësua». Labani mblodhi tërë vendasit e bëri dasmë. Por në mbrëmje mori Lean, të bijën, ia dha Jakobit e ky fjeti me të. Labani i dha Leas, të bijës, Zilfën, skllaven e tij. Në mëngjes, kur pa se ishte Lea, Jakobi i tha Labanit: «Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më mashtrove?». Labani i tha: «Në vendin tonë nuk është zakon të jepet e vogla para të madhes. Le të kalojë kjo javë dasme e pastaj do të të japim edhe tjetrën e ti do të më shërbesh edhe shtatë vjet të tjerë». Jakobi pranoi dhe pasi kaloi java e dasmës, Labani ia dha për grua Rakelën, të bijën. Ai i dha Rakelës, të bijës, Bilhën, skllaven e tij. Jakobi fjeti edhe me Rakelën dhe e deshi atë më shumë se Lean. Ai i shërbeu Labanit edhe për shtatë vite të tjera.