Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 25:19-34

Zanafilla 25:19-34 AL1

Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit: Abrahamit i lindi Isaku. Ai ishte dyzet vjeç kur mori për grua nga Padan Arami Rebekën, bijën e Betuel Arameasit dhe motrën e Laban Arameasit. Isaku iu lut ZOTIT për gruan e tij, sepse ajo ishte beronjë. ZOTI e dëgjoi dhe Rebeka mbeti shtatzënë. Djemtë përlesheshin me njëri-tjetrin brenda barkut të saj, prandaj ajo tha: «Pse po më ndodh kështu?» e shkoi të pyesë ZOTIN. Atëherë ZOTI i tha: «Dy kombe janë në barkun tënd e dy popuj do të dalin prej teje. Njëri do të jetë më i fortë se tjetri e i madhi do t'i shërbejë të voglit». Kur i erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë. I pari doli i kuq, mbuluar i tëri si me një gunë leshi. Atë e quajtën Esau. Pastaj doli i vëllai që e kishte mbërthyer Esaun nga thembra. Ai u quajt Jakob. Isaku ishte gjashtëdhjetë vjeç kur i lindën djemtë. Kur ata u rritën, Esau u bë gjahtar i aftë, njeri i fushës, ndërsa Jakobi ishte i përkryer e rrinte nëpër tenda. Isaku donte Esaun, sepse i pëlqente gjahu, ndërsa Rebeka donte Jakobin. Një herë kur Jakobi po gatuante gjellë, Esau erdhi prej fushës i lodhur e i tha Jakobit: «Më lër ta përlaj këtë gjënë e kuqe, se jam i sfilitur». Prandaj dhe u quajt Edom. Jakobi tha: «Më shit më parë të drejtën e parëlindjes». Esau u përgjigj: «Unë po vdes, ç'më duhet kjo e drejtë?». Jakobi i tha: «M'u beto tani». Ai iu betua e ia shiti Jakobit të drejtën e parëlindjes. Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë e gjellë me thjerrëza. Ai hëngri e piu e pastaj u ngrit e iku. Kështu, Esau e përbuzi të drejtën e parëlindjes.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë