Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 25:19-34

Zanafilla 25:19-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit: Abrahamit i lindi Isaku. Ai ishte dyzet vjeç kur mori për grua nga Padan Arami Rebekën, bijën e Betuel Arameasit dhe motrën e Laban Arameasit. Isaku iu lut ZOTIT për gruan e tij, sepse ajo ishte beronjë. ZOTI e dëgjoi dhe Rebeka mbeti shtatzënë. Djemtë përlesheshin me njëri-tjetrin brenda barkut të saj, prandaj ajo tha: «Pse po më ndodh kështu?» e shkoi të pyesë ZOTIN. Atëherë ZOTI i tha: «Dy kombe janë në barkun tënd e dy popuj do të dalin prej teje. Njëri do të jetë më i fortë se tjetri e i madhi do t'i shërbejë të voglit». Kur i erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë. I pari doli i kuq, mbuluar i tëri si me një gunë leshi. Atë e quajtën Esau. Pastaj doli i vëllai që e kishte mbërthyer Esaun nga thembra. Ai u quajt Jakob. Isaku ishte gjashtëdhjetë vjeç kur i lindën djemtë. Kur ata u rritën, Esau u bë gjahtar i aftë, njeri i fushës, ndërsa Jakobi ishte i përkryer e rrinte nëpër tenda. Isaku donte Esaun, sepse i pëlqente gjahu, ndërsa Rebeka donte Jakobin. Një herë kur Jakobi po gatuante gjellë, Esau erdhi prej fushës i lodhur e i tha Jakobit: «Më lër ta përlaj këtë gjënë e kuqe, se jam i sfilitur». Prandaj dhe u quajt Edom. Jakobi tha: «Më shit më parë të drejtën e parëlindjes». Esau u përgjigj: «Unë po vdes, ç'më duhet kjo e drejtë?». Jakobi i tha: «M'u beto tani». Ai iu betua e ia shiti Jakobit të drejtën e parëlindjes. Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë e gjellë me thjerrëza. Ai hëngri e piu e pastaj u ngrit e iku. Kështu, Esau e përbuzi të drejtën e parëlindjes.

Zanafilla 25:19-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit. Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isaku ishte dyzet vjeç kur mori për grua Rebekën, e bija e Bethuelit, Arameu i Paddan-Aranit dhe motra e Labanos, Arameut. Isaku e luti Zotin për gruan e tij sepse ajo ishte shterpë. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz. Por fëmijët shtynin njëri-tjetrin në barkun e saj dhe ajo tha: "Në qoftë se është kështu (që iu përgjigj Zoti), pse gjendem unë në këto kushte?". Dhe kështu vajti të konsultohet me Zotin. Dhe Zoti i tha: "Dy kombe ndodhen në barkun tënd dhe dy popuj kanë për të dalë nga përbrendshmet e barkut tënd. Njëri nga këta dy popuj do të jetë më i fortë se tjetri, dhe më i madhi do t'i shërbejë më të voglit". Kur erdhi koha për të që të lindte, ajo kishte në bark dy binjakë. Dhe i pari që doli jashtë ishte i kuq; ai ishte krejt si një mantel leshtor, prandaj i vunë emrin Esau. Pastaj doli vëllai i tij, i cili me dorë mbante thembrën e këmbës të Esaut; prandaj e quajtën Jakob. Por Isaku ishte shtatëdhjetë vjeç kur Rebeka i lindi. Dy fëmijët u rritën dhe Esau u bë një gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak, ndërsa Jakobi ishte një njeri i qetë, që jetonte në çadra. Por Isaku e donte Esaun, sepse mishin e gjahut e pëlqente; Rebeka nga ana e saj donte Jakobin. Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur. Dhe Esau i tha Jakobit: "Të lutem, më lërë të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur". Për këtë arsye e quajtën Edom. Por Jakobi iu përgjigj: "Më shit më parë parëbirninë tënde". Esau tha: "Ja unë jam duke vdekur, ç'dobi kam nga parëbirnia?". Atëherë Jakobi tha: "Më parë betomu". Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij. Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë