Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 24:15-28

Zanafilla 24:15-28 AL1

Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, Rebeka doli me shtambë mbi supe. Ajo ishte vajza e Betuelit, birit të Milkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit. Vajza ishte shumë e bukur dhe e virgjër. Asnjë burrë nuk e kishte prekur. Ajo zbriti te pusi, mbushi shtambën dhe u ngjit. Shërbëtori vrapoi ta takonte e i tha: «Më jep të pi pak ujë nga shtamba jote». Ajo iu përgjigj: «Pi imzot!». Menjëhere e uli shtambën e i dha për të pirë. Pasi i dha ujë i tha: «Po u jap ujë edhe deveve të tua derisa të ngopen». E zbrazi shtambën shpejt në koritë e vrapoi te pusi për të nxjerrë ujë për të gjitha devetë e tij. Ai e vështronte në heshtje për të parë nëse ZOTI ia kishte sjellë mbarë, apo jo. Pasi devetë mbaruan së piri, ai mori një unazë të artë për hundën, që peshonte gjashtë gramë dhe dy stoli të arta për duart që peshonin njëqind gramë. E i tha: «Më trego, bija e kujt je? A ka vend për ne në shtëpinë e atit tënd që të kalojmë natën?». Ajo i tha: «Jam e bija e Betuelit, birit të Milkës, që ajo ia lindi Nahorit». Pastaj shtoi: «Te ne ka mjaft kashtë e tagji, si edhe dhoma për të kaluar natën». Atëherë ai u përkul, adhuroi ZOTIN, e tha: «Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i timzot Abrahamit, që nuk e kurseu mirësinë dhe besnikërinë ndaj timzot, e që më priu drejt shtëpisë së vëllait të timzot». Vajza vrapoi e ua tregoi njerëzve të shtëpisë të gjitha këto.