Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 24:15-28

Zanafilla 24:15-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, Rebeka doli me shtambë mbi supe. Ajo ishte vajza e Betuelit, birit të Milkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit. Vajza ishte shumë e bukur dhe e virgjër. Asnjë burrë nuk e kishte prekur. Ajo zbriti te pusi, mbushi shtambën dhe u ngjit. Shërbëtori vrapoi ta takonte e i tha: «Më jep të pi pak ujë nga shtamba jote». Ajo iu përgjigj: «Pi imzot!». Menjëhere e uli shtambën e i dha për të pirë. Pasi i dha ujë i tha: «Po u jap ujë edhe deveve të tua derisa të ngopen». E zbrazi shtambën shpejt në koritë e vrapoi te pusi për të nxjerrë ujë për të gjitha devetë e tij. Ai e vështronte në heshtje për të parë nëse ZOTI ia kishte sjellë mbarë, apo jo. Pasi devetë mbaruan së piri, ai mori një unazë të artë për hundën, që peshonte gjashtë gramë dhe dy stoli të arta për duart që peshonin njëqind gramë. E i tha: «Më trego, bija e kujt je? A ka vend për ne në shtëpinë e atit tënd që të kalojmë natën?». Ajo i tha: «Jam e bija e Betuelit, birit të Milkës, që ajo ia lindi Nahorit». Pastaj shtoi: «Te ne ka mjaft kashtë e tagji, si edhe dhoma për të kaluar natën». Atëherë ai u përkul, adhuroi ZOTIN, e tha: «Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i timzot Abrahamit, që nuk e kurseu mirësinë dhe besnikërinë ndaj timzot, e që më priu drejt shtëpisë së vëllait të timzot». Vajza vrapoi e ua tregoi njerëzve të shtëpisë të gjitha këto.

Zanafilla 24:15-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, doli Rebeka me shtambën në shpatullën e saj; ajo ishte e bija e Bethuelit, biri i Mikailit, gruaja e Nahorit dhe vëllai i Abrahamit. Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart. Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote". Ajo u përgjigj: "Pi, zotëria im"; pastaj shpejtoi ta ulë shtambën mbi dorë dhe i dha të pijë. Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: "Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, derisa të ngopen me ujë". Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij. Ndërkaq ai njeri e sodiste në heshtje, për të mësuar në qoftë se Zoti e kishte bërë të mbarë apo jo udhëtimin e tij. Kur devetë mbaruan së piri, njeriu mori një unazë floriri për hundën që peshonte gjysmë sikli dhe dy byzylykë me një peshë prej dhjetë siklash ari për kyçin e dorës së saj, dhe tha: "Bijë e kujt je? Ma thuaj, të lutem. A ka vend në shtëpinë e babait tënd për ne, që ta kalojmë natën?". Ajo u përgjigj: "Unë jam bijë e Bethuelit, i biri i Milkahut, që ajo i lindi në Nahor". Dhe shtoi: "Tek ne ka shumë kashtë dhe forazh si dhe vend për të kaluar natën". Atëherë njeriu u përkul, adhuroi Zotin dhe tha: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Abrahamit, zotërisë tim, që nuk ka pushuar të jetë dashamirës dhe besnik ndaj zotërisë tim! Sa për mua, gjatë udhëtimit, Zoti më çoi në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim". Dhe vajza vrapoi për t'i treguar këto gjëra në shtëpinë e nënës së saj.