Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 19

19
Ligësia e Sodomës
1Dy engjëjt arritën në Sodomë në mbrëmje, kur Loti po rrinte te porta e Sodomës. Si i pa, u ngrit t'i takonte, u përkul me fytyrë përdhe 2e tha: «Zotërinj, kthehuni nga shtëpia e shërbëtorit tuaj që të kaloni natën e të lani këmbët. Pastaj në të gdhirë vazhdoni udhëtimin». Ata thanë: «Jo, natën do ta kalojmë në shesh». 3Por Loti nguli këmbë. Kështu, ata u kthyen tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një gosti, u poqi bukë të ndorme dhe ata hëngrën. 4Para se të flinin, njerëzit e qytetit të Sodomës, i tërë populli pa përjashtim, i ri e i vjetër, rrethuan shtëpinë. 5I thirrën Lotit e i thanë: «Ku janë burrat që erdhën te ti sonte? Na i nxirr jashtë që t'i përdhunojmë#19.5 he. njohim». 6Loti doli përjashta, mbylli derën pas vetes 7e u tha: «Mos vëllezër, mos bëni ligësi. 8Ja ku kam dy bija që nuk kanë njohur burrë. Po i nxjerr jashtë e po jua jap, që të bëni me to ç'të doni. Vetëm këtyre burrave mos u bëni gjë, se janë nën mbrojtjen time#19.8 he. nën hijen e çatisë sime». 9Ata u përgjigjën: «Ik shporru!». Edhe thanë: «Ky erdhi të banojë si i huaj e dashka të jetë gjykatës! Tani do të sillemi edhe më keq me ty!». Filluan ta shtyjnë Lotin fort dhe u afruan për ta shpërthyer derën. 10Por dy burrat zgjatën dorën, e tërhoqën Lotin brenda në shtëpi dhe mbyllën derën. 11Pastaj i verbuan njerëzit që ishin përjashta, nga më i vogli deri te më i madhi. Kështu ata u lodhën së kërkuari hyrjen e shtëpisë.
Shkatërrimi i Sodomës e Gomorrës
12Burrat i thanë Lotit: «Kush tjetër është me ty? Ke dhëndër, bij e bija? Këdo që ke në këtë qytet nxirre jashtë prej këtij vendi. 13Ne do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse e madhe është gjëma e tyre para Zotit dhe ai na ka dërguar që ta shkatërrojmë». 14Loti doli jashtë e u foli dhëndurëve që ishin martuar me bijat e tij: «Ngrihuni e largohuni nga ky vend, se Zoti do ta shkatërrojë qytetin». Por dhëndurëve iu duk se ai po tallej.
15Në të gdhirë, engjëjt e nxisnin Lotin duke i thënë: «Ngrihu e merr me vete gruan tënde dhe të dy bijat që gjenden këtu. Përndryshe, kur qyteti të ndëshkohet, do të zhdukesh edhe ti». 16Por ai po vonohej. Atëherë, meqë Zoti pati mëshirë për të, burrat e morën për dore atë, gruan e tij e bijat e tij dhe i nxorën e i lanë jashtë qytetit. 17Pasi i nxorën jashtë, njëri prej tyre i tha: «Ik, shpëto veten! Mos shiko mbrapa e mos u ndal askund në luginë. Ik në mal, përndryshe do të zhdukesh!». 18Loti u tha: «Mos, o Zot! 19Ja, shërbëtori yt gjeti hir para teje e ti u tregove shumë mirëdashës me atë që bëre duke më shpëtuar. Por unë nuk do të largohem dot në mal pa më zënë fatkeqësia e kam për të vdekur. 20Ja një qytet ku mund të strehohem. Është afër dhe i vogël. Më lër të shkoj te ky qytet i vogël që të shpëtoj». 21Ai i tha: «Ja, po ta plotësoj edhe këtë kërkesë. Nuk do ta shkatërroj qytetin për të cilin fole. 22Shpejto, ik atje, se nuk do të bëj asgjë derisa të arrish». Prandaj qyteti u quajt Coar. 23Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti hyri në Coar.
24Atëherë Zoti lëshoi nga qielli sulfur e zjarr mbi Sodomën e Gomorrën. 25Ai i shkatërroi ato qytete dhe gjithë luginën bashkë me tërë banorët e qyteteve e bimësinë e tokës. 26Por gruaja e Lotit shikoi mbrapa dhe u kthye në një shtatore kripe.
27Herët në mëngjes, Abrahami u ngrit e shkoi te vendi ku kishte qëndruar para Zotit. 28Hodhi sytë poshtë nga Sodoma e Gomorra dhe nga tërë vendi i luginës dhe, ja, një tym ngrihej nga toka sikur të ishte tym furre.
29Kështu ndodhi që, kur Perëndia shkatërroi qytetet e luginës, u kujtua për Abrahamin dhe e largoi Lotin nga shkatërrimi që ra#19.29 he. kur ai shkatërroi mbi qytetet ku banonte.
Zanafilla e Moabit dhe e Amonit
30Loti kishte frikë të banonte në Coar, prandaj u largua nga Coari bashkë me dy bijat e tij e banoi në mal, në një shpellë. 31Atëherë vajza e madhe i tha të voglës: «Ati ynë është plak dhe nuk ka asnjë burrë në vend që të flejë me ne, siç bëhet në mbarë tokën. 32Eja, le ta dehim atin tonë me verë, që të flemë me të e, përmes tij, të ruajmë farën». 33Kështu, atë natë e dehën me verë atin e tyre dhe e madhja hyri e u shtri me të. Ai nuk e mori vesh as kur u shtri e bija, as kur u ngrit. 34Të nesërmen, vajza e madhe i tha të voglës: «Ja, unë fjeta mbrëmë me tim atë. Le ta dehim me verë edhe sonte. Pastaj hyr ti e fli me të që, përmes tij, të ruajmë farën». 35Atë natë e dehën përsëri me verë të atin. E vogla shkoi e fjeti me të. Ai nuk e mori vesh as kur u shtri e bija, as kur u ngrit. 36Të dyja bijat e Lotit mbetën shtatzënë prej tij. 37E madhja lindi djalë dhe e quajti Moab. Ky është ati i moabitëve të sotëm. 38Edhe e vogla lindi djalë dhe e quajti Benami. Ky është ati i amonitëve të sotëm.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 19: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr