Ata që mbështeten në veprat që kërkon ligji janë nën mallkim, sepse Shkrimi thotë: qoftë mallkuar kushdo që nuk vazhdon të bëjë gjithçka që është shkruar në librin e Ligjit. Është e qartë se askush nuk bëhet i drejtë para Perëndisë me anë të ligjit, sepse i drejti do të jetojë prej besimit.
Ligji nuk buron prej besimit, por kush i zbaton urdhërimet e tij do të jetojë prej tyre. Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit duke u bërë vetë mallkim për ne, sepse Shkrimi thotë: i mallkuar është cilido që varet në dru. Prandaj, bekimi i Abrahamit u vjen kombeve me anë të Krishtit Jezu dhe premtimin e Shpirtit ne e marrim përmes besimit.
Vëllezër, po flas si njeri. Asnjeri nuk i heq e nuk i shton gjë një besëlidhjeje njerëzore pasi kjo të jetë vulosur. Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Shkrimi nuk thotë: « Edhe pasardhësve » si për shumë të tillë, por për një të vetëm: « Dhe pasardhësit tënd » që është Krishti. Ja çfarë po them: ligji, që u dha katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin. Nëse trashëgimia do të vinte prej ligjit, nuk do të vinte nga premtimi. E, pra, Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit.
Pse u dha ligji, atëherë? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi, të cilit iu bë premtimi. Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi, por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme. E Perëndia është një i vetëm.
A u kundërvihet ligji premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtetë i drejtë prej ligjit. Por Shkrimi thotë se gjithçka i është nënshtruar mëkatit. Kështu, premtimi i Perëndisë u jepet me anë të besimit atyre që besojnë në Jezu Krishtin.
Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte. Kështu ligji u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë me anë të besimit. Me ardhjen e besimit, nuk jemi më nën kujdestarin.
Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu. Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, u veshët me Krishtin. Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu. Nëse jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit të Perëndisë.