Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Galatasve 3:10-29

Galatasve 3:10-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ata që mbështeten në veprat që kërkon ligji janë nën mallkim, sepse Shkrimi thotë: qoftë mallkuar kushdo që nuk vazhdon të bëjë gjithçka që është shkruar në librin e Ligjit. Është e qartë se askush nuk bëhet i drejtë para Perëndisë me anë të ligjit, sepse i drejti do të jetojë prej besimit. Ligji nuk buron prej besimit, por kush i zbaton urdhërimet e tij do të jetojë prej tyre. Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit duke u bërë vetë mallkim për ne, sepse Shkrimi thotë: i mallkuar është cilido që varet në dru. Prandaj, bekimi i Abrahamit u vjen kombeve me anë të Krishtit Jezu dhe premtimin e Shpirtit ne e marrim përmes besimit. Vëllezër, po flas si njeri. Asnjeri nuk i heq e nuk i shton gjë një besëlidhjeje njerëzore pasi kjo të jetë vulosur. Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Shkrimi nuk thotë: « Edhe pasardhësve » si për shumë të tillë, por për një të vetëm: « Dhe pasardhësit tënd » që është Krishti. Ja çfarë po them: ligji, që u dha katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin. Nëse trashëgimia do të vinte prej ligjit, nuk do të vinte nga premtimi. E, pra, Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit. Pse u dha ligji, atëherë? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi, të cilit iu bë premtimi. Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi, por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme. E Perëndia është një i vetëm. A u kundërvihet ligji premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtetë i drejtë prej ligjit. Por Shkrimi thotë se gjithçka i është nënshtruar mëkatit. Kështu, premtimi i Perëndisë u jepet me anë të besimit atyre që besojnë në Jezu Krishtin. Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte. Kështu ligji u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë me anë të besimit. Me ardhjen e besimit, nuk jemi më nën kujdestarin. Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu. Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, u veshët me Krishtin. Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu. Nëse jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit të Perëndisë.

Galatasve 3:10-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: ''I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t'i praktikuar''. Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: ''I drejti do të rrojë me anë të besimit''. Dhe ligji nuk është nga besimi, por “njeriu që do t’i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre''. Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: ''I mallkuar është kushdo që varet në dru''), që bekimi i Abrahamit t'u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit. O vëllezër, po ju flas në mënyrën e njerëzve: në qoftë se një besëlidhje është aprovuar, edhe pse është besëlidhje njeriu, askush nuk e zhvleftëson as nuk i shton gjë. Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: ''Edhe pasardhësve'' si të ishin shumë, por të një të vetme: ''Dhe pasardhjes sate'', pra Krishti. Dhe unë them këtë: ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e aprovuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin. Sepse, në qoftë se trashëgimi është nga ligji, nuk është më nga premtimi. Por Perëndia ia fali atë Abrahamit me anë të premtimit. Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, derisa të vinte pasardhja së cilës i qe bërë premtimi; dhe ky ligj u shpall nëpërmjet engjëjve, me anë të një ndërmjetësi. Dhe ndërmjetësi nuk është ndërmjetës i një ane të vetme, kurse Perëndia është një. A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit. Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t'u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit. Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej. Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit. Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues, sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti. Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur. Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin. Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.