Ezra 9
9
Martesat me të huajt
1Si u kryen këto, u paraqitën tek unë prijësit e më thanë: «Populli i Izraelit, priftërinjtë e levitët nuk janë ndarë prej popujve të vendeve dhe prej ndyrësive të tyre, pra, prej kananitëve, hititëve, perizitëve, jebusitëve, amonitëve, moabitëve, egjiptianëve dhe amoritëve, 2por kanë marrë gra nga bijat e tyre, për vete dhe për bijtë e tyre, dhe kështu e kanë përzier farën e shenjtë me popujt vendas. Krerët dhe zyrtarët kanë qenë të parët që e kanë bërë një pabesi të tillë». 3Me ta dëgjuar këtë gjë, shqeva tunikën e petkun, shkula flokët nga koka e nga mjekra dhe u ula i pikëlluar. 4Rreth meje u mblodhën të gjithë ata që e kishin frikë Perëndinë e Izraelit, për shkak të pabesisë së të kthyerve nga robëria. Unë ndenja ulur i tmerruar deri në kohën e flisë së mbrëmjes.
5Gjatë flisë së mbrëmjes, u ngrita nga ajo gjendje pikëllimi dhe me tunikën e petkun ashtu të shqyer, rashë në gjunjë, i shtriva duart drejt Zotit, Perëndisë tim, 6e i thashë: «O Perëndia im, më vjen turp ta kthej fytyrën drejt teje, se paudhësitë tona janë shtuar aq sa na kanë mbuluar kokën dhe faji ynë ka arritur deri në qiell. 7Kemi bërë shumë faje që nga koha e etërve tanë e deri më sot dhe, për shkak të këtyre paudhësive tona, mbretërit e priftërinjtë tanë ranë në duart e mbretërve të tokës. Na kanë vrarë deri më sot, na kanë robëruar, na kanë plaçkitur e na e kanë mbuluar fytyrën me turp. 8Por tani, Zoti, Perëndia ynë, është treguar i mëshirshëm për pak kohë dhe ka lejuar të mbetet një tepricë prej nesh e na ka dhënë strehë vendin e tij të shenjtë, që Perëndia ynë të na ndriçojë sytë dhe të na përtërijë sadopak prej robërisë. 9Ishim të robëruar, por Perëndia ynë nuk na la në robëri. Ai u tregua i mirë me ne para mbretit të Persisë dhe e bëri të na mbështetë për ndërtimin e tempullit të Perëndisë tonë, për ta ringritur prej rrënojave e për të gjetur strehë në Judë e në Jerusalem. 10E ç'të themi tani, o Perëndia ynë, pas gjithë këtyre të mirave? Ja, i kemi braktisur urdhërimet e tua, 11që ti na i dhe përmes profetëve, shërbëtorëve të tu, kur the: “Toka që po merrni në trashëgim është e ndotur prej papastërtisë së popujve vendas dhe e mbushur plot e përplot me fëlliqësitë e tyre të neveritshme. 12Prandaj mos i jepni bijat tuaja për djemtë e tyre e mos i merrni bijat e tyre për bijtë tuaj. Mos kërkoni kurrë paqen me ta e as mirëqenien e tyre, sepse kështu do të bëheni të fortë, do të hani të mirat e vendit dhe do t'ia lini trashëgim përgjithmonë bijve tuaj”. 13Pas gjithë atyre që hoqëm për shkak të veprave tona të këqija e për fajin tonë të madh, ndonëse ti, o Perëndia ynë, nuk na ndëshkove sipas fajit tonë, por na le këtë tepricë, 14a do t'i shkelim sërish urdhërimet e tua e të lidhim martesa me këta popuj të fëlliqur? Mos vallë do të zemërohesh me ne, derisa të na japësh fund e të mos mbesë askush prej nesh? 15O Zot, Perëndi i Izraelit, ti je i drejtë, prandaj dhe ka mbetur sot kjo tepricë prej nesh. Ja, po paraqitemi para teje me fajin tonë, ndonëse për shkak të tij nuk do të duhej të dilnim para teje».
Aktualisht i përzgjedhur:
Ezra 9: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020