nga bijtë e Azgadit, Johanani, biri i Hakatanit dhe njëqind e dhjetë meshkuj me të; nga bijtë e Adonikamit, që erdhën të fundit, emrat i kishin Elifelet, Jejel dhe Shemajah, bashkë me gjashtëdhjetë meshkuj; dhe nga bijtë e Bigvait, Utai dhe Zabudi, si edhe shtatëdhjetë meshkuj me të.
Unë i mblodha këta pranë lumit që rrjedh drejt Ahavës e qëndruam aty tri ditë. Këqyra me kujdes popullin dhe gjeta priftërinj, por nuk gjeta asnjë levit. Atëherë thirra krerët Eliezer, Ariel, Shemajah, Elnatan, Jarib, Elnatan, Natan, Zakari dhe Meshulam, si edhe mësuesit Jojarib e Elnatan, dhe i urdhërova të shkonin tek Idoi, i pari i vendit të Kasifisë, e u thashë fjalët që duhej t'i thoshin Idoit dhe vëllezërve të tij, të cilët ishin shërbestarë të tempullit e jetonin në vendin e Kasifisë, që të dërgonin shërbestarë për tempullin e Perëndisë. Meqenëse dora mirëbërëse e Perëndisë sonë ishte me ne, na dërguan një njeri të mençur, Sherebiahun, një prej bijve të Mahliut, të birit të Levit, pasardhës të Izraelit, bashkë me bijtë dhe vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë.